Opinionistja e Big Brother VIP Albania 4, Neda Balluku, ka thyer heshtjen dhe ka folur hapur për jetën e saj personale në emisionin “Goca & Gra”, ku konfirmoi se është zyrtarisht në proces divorci me bashkëshortin e saj, Ogren Balluku.
E emocionuar, Neda tregoi se marrëdhënia e çiftit prej vitesh po kalonte kriza të vazhdueshme, ndërsa një situatë e ngjashme, sipas saj, kishte ndodhur edhe në vitin 2020. “Lajmet janë të vërteta. E vërteta është që nuk është hera e parë që jam në këtë situatë, një gjë e ngjashme ka ndodhur edhe në 2020. Atëherë ia dolëm ta kapërcenim. Dëshira ka qenë për ta mbajtur, por nëse do të ktheja kohën prapa do të bëja të njëjtën gjë”, u shpreh ajo.
Për herë të parë në ekran, Neda pranoi se prej muajsh ndodhet në proces ligjor divorci pas rreth 10 viteve martesë me Ogrenin, me të cilin ka krijuar një familje prej tre fëmijësh. Ajo u njoh me bashkëshortin gjatë edicionit të katërt të Big Brother Albania, histori që më pas u kurorëzua me martesë dhe u kthye në një nga lidhjet më të komentuarat të asaj kohe.
E pyetur nëse vendimi për divorc ishte marrë duke menduar për veten apo për fëmijët, Neda u shpreh prerë se gjithmonë interesin e fëmijëve e vendos të parin. “Mendoj se çdo fëmijë ka të drejtë të rritet në ambient të shëndetshëm, në marrëdhënie të shëndetshme mes prindërve dhe të jetë i qetë e i lumtur. Para fëmijëve mendoj se asnjë nënë nuk e vë veten e vet”, tha ajo.
Në këtë rrëfim të sinqertë, opinionistja theksoi se marrëdhënia e saj me Ogrenin prej kohësh nuk ishte më e shëndetshme, ndonëse përpjekjet për ta shpëtuar martesën kishin vazhduar gjatë.
Deklarata e saj ka ngjallur reagime në rrjetet sociale, teksa publiku ka shfaqur mbështetje për vendimin dhe hapjen e saj emocionale.