Rasti i Fatmir Shehollit ka rikthyer në qendër të debatit publik dyshimet për infiltrime të shumëfishta në sistemin politik dhe të sigurisë së Kosovës. Lidhjet e përmendura mes individëve të brendshëm opozitar dhe strukturave serbe, të zbuluara nga Prokuroria dhe mediat, po shihen si sinjal alarmi për tentativat e destabilizimit të vendit dhe dobësimit të qeverisë përmes skenarëve të koordinuar politikisht e operativisht.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka arrestuar Fatmir Shehollin nën dyshimin për spiunazh dhe bashkëpunim me shërbimin e inteligjencës serbe, BIA.
Sipas raportimeve të mediave, Sheholli dyshohet se ka pasur kontakte të drejtpërdrejta me përfaqësues të BIA-s, përfshirë një person me emrin Bojan Dimiç, i identifikuar si zyrtar i këtij shërbimi.
Gjithashtu, Sheholli dyshohet të ketë pasur lidhje të ngushta me Milan Radojçiçin, figurë kyçe e përfshirë në organizimin e sulmit të armatosur në Banjskë, në shtator të vitit 2023.
Sipas raportimeve mediatike dhe burimeve pranë hetimit, Sheholli thuhet se ka deklaruar në Prokurorinë Speciale se për ngjarjen e Banjskës kishin qenë në dijeni paraprakisht disa figura kyçe të opozitës, gjë që ka ngritur shqetësime serioze për përfshirje ose neglizhencë në raport me sigurinë kombëtare.
Në një situatë të tillë, lindin dilema serioze mbi rolin e disa strukturave opozitare në proceset e brendshme të sigurisë së Kosovës.
Sipas analizave, kjo mund të interpretohet si një përpjekje e opozitës për të dobësuar politikisht qeverinë e Albin Kurtit dhe për ta etiketuar Kryeministrin si “tradhtar”, duke e akuzuar për humbjen e kontrollit mbi veriun.
Përmes këtij skenari të dyfishtë, opozita synonte të paraqitej si palë “paqësore”, ndërsa Kryeministri Kurti të etiketohej si tradhtar që kishte humbur kontrollin mbi veriun. Ky skenar mund të kishte gjithashtu qëllim krijimin e një narrative sipas së cilës Kurti, përmes marrëveshjeve me Serbinë, kishte humbur veriun dhe komunat përreth, duke e paraqitur si të papërgjegjshëm ose si bashkëpunues me interesat serbo-ruse.
Nëse këto dyshime konfirmohen, implikimet do të jenë të rënda jo vetëm për sovranitetin dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës, por edhe për figurat kryesore të opozitës. Për qytetarët dhe institucionet, këto zhvillime mund të çojnë në vlerësime të rrepta mbi besueshmërinë dhe përgjegjësinë e tyre, duke i identifikuar individët me emëra që vepruan kundër interesave të vendit.
Rruga e vetme e drejtë mbetet hetimi i plotë, transparent dhe i paanshëm i Prokurorisë Speciale, në mënyrë që çdo hallkë e ndikimeve të mbrendshme dhe atyre të huaja të zbardhen dhe përgjegjësia të vendoset sipas ligjit. Vetëm përmes drejtësisë dhe transparencës, Kosova mund ta mbrojë pavarësinë e saj nga çdo formë e infiltrimit politik apo të sigurisë.