PEJË — Djali 12-vjeçar i Arlinda Zekajt, e cila u vra mizorisht nga kunati i saj në Pejë, është dërguar në një qendër strehimore në Kosovë pas një ndërhyrjeje që shkaktoi reagime të ashpra në opinionin publik. Prokuroria Themelore në Pejë konfirmoi se i mituri është larguar nga familjarët për t’u vendosur nën mbrojtjen e shtetit.
Vendimi erdhi si pasojë e vlerësimit të sigurisë dhe gjendjes së tij të rënduar emocionale pas humbjes së nënës.
Mënyra se si u realizua ky largim ka nxitur kritika të mëdha ndaj Policisë së Kosovës dhe Qendrës për Punë Sociale (QPS). Gjatë ceremonisë së varrimit të Arlindës, zyrtarët policorë dhe ata socialë ndërhynë për ta marrë djalin e mitur nga rrethi familjar, një veprim ky që u cilësua nga dëshmitarët dhe shoqëria civile si traumatik dhe i pamenduar mirë për moshën dhe situatën e tij të rëndë.
Ky rast ka vënë në qendër të kritikave pikërisht Qendrën për Punë Sociale, e cila po akuzohet hapur për neglizhencë dhe dështim institucional. Sipas reagimeve të shumta nga aktivistët e të drejtave të njeriut, dështimi dhe shkelja e parë ndaj viktimës kishte nisur kohë më parë pikërisht te zyrtarët e QPS-së, të cilët pretendohet se nuk i morën seriozisht paralajmërimet dhe thirrjet e vazhdueshme të Arlindës për ndihmë dhe mbrojtje.
Përderisa hetimet për vrasjen e Arlinda Zekajt nga kunati i saj po vazhdojnë, vëmendja kryesore mbetet te trajtimi i djalit të saj të mitur. Shoqëria civile po kërkon me ngulm që QPS-ja dhe Ministria e Drejtësisë të sigurojnë mbështetje maksimale psikologjike për 12-vjeçarin, duke parandaluar traumat e mëtejshme në një ambient që duhet t’i garantojë atij siguri të plotë.