U premtua heqja e sanksioneve, Kosova vazhdon ‘nën’ masa të BE-së”

Kosova ndodhet aktualisht në një krizë politike, duke mos arritur konstituimin e Kuvendit dhe zgjedhjen e qeverisë së re. Që nga zgjedhjet e 9 shkurtit të këtij viti, deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Kosovës nuk kanë arritur në një marrëveshje të përbashkët për formimin e institucioneve të reja.

Në të njëjtën kohë, Kosova vazhdon të mbetet e sanksionuar edhe Bashkimi Evropian. Këto sanksione ende nuk janë hequr, ndonëse ishte paralajmëruar se ato do të largohen.

Në qershor të vitit 2023, BE miratoi masa të përkohshme ndaj Kosovës, për shkak të tensioneve të rritura në veri të Kosovës, në arsyetimin për mungesë bashkëpunimi të autoriteteve të Kosovës për eskalimin e situatës.

Këto masa nga BE-ja përfshijnë pezullimi e fondeve të reja, pezullimin e vizitave bilaterale, si dhe pezullimi i aplikimeve për fonde të reja.

Në situatën në të cilën ndodhet, a ka gjasa që sanksionet e vendosura të hiqen nga BE-ja, apo Kosova mund të sanksionohet edhe më tej?

Magbule Shkodra: “Kosova po e sanksionon vetveten”

Analistja politike, Magbule Shkodra, ka komentuar situatën aktuale politike në vend, duke theksuar se bllokada institucionale po e dëmton Kosovën më shumë se çdo masë e vendosur nga Bashkimi Evropian.

“Në situatën në të cilën ndodhemi, pa Kuvend të konstituar dhe pa qeveri të formuar, është shumë e vështirë të mendohet se sanksionet e BE-së do të hiqen,” deklaroi Shkodra.

Ajo kujtoi se Presidentja e Këshillit Evropian, Kaja Kallas, kishte paralajmëruar se do të fillonte heqja e disa sanksioneve më të lehta, por theksoi se nuk është dhënë asnjë detaj konkret për masat që mund të jenë hequr.

“Ne vazhdojmë të mbesim nën sanksione,” tha Shkodra.

Sipas saj, kriza e vazhdueshme politike po e dëmton Kosovën në mënyrë të vetëshkaktuar.

“Nuk është më çështje a mund të na sanksionojë BE-ja, sepse ne tashmë e kemi sanksionuar veten. Për shembull, nuk kemi arritur të përfitojmë mjetet e nevojshme nga Fondi për Zgjerim, pasi marrëveshja kërkon ratifikim në Kuvend, e ne ende nuk e kemi konstituar Kuvendin,” tha ajo.

Shkodra paralajmëroi se sa më shumë të vazhdojë kjo krizë, aq më shumë do të përkeqësohet gjendja e Kosovës në raport me institucionet ndërkombëtare dhe mundësitë për zhvillim ekonomik.