Pasuria e Xhavit Halitit sipas KFOR-it
Xhavit Haliti ka deklaruar një pasuri prej rreth një milion euro, shumë që e përsërit thuajse çdo vit, nga viti 2010 kur ka filluar deklarimi i pasurisë së zyrtarëve të lartë të shtetit. Në fakt duke e deklaruar pasurin zyrtarisht në një institucion shtetëror, mafia politike dhe ekonomike, ua ka marrë të drejtën njerëzve që të flasin lirshëm për pasurinë që kanë zyrtarët e lartë të shtetit.
Por, sa në të vërtetë është pasuria e tij, dhe pse ai ka guxim ta fshehë, dhe pse institucionet si Antikorrupsioni nuk guxojnë ta hetojnë pasurinë e tij, dhe as policia e prokuroria.
Gazeta ua sjellë lexuesve të përkthyer një pjesë të dosjes sekrete të KFOR-it amerikan relacione me NATO-n, dhe që në gjuhën angleze gjendet në google. Dosjet e tilla shpjegojnë jo pak edhe skemën aktuale të krimit dhe të gjendjes së status kuos dhe dështimit të qëllimshëm të qeverisjes në Kosovë.
Sipas relacioneve sekrete të KFOR-it amerikan me NATO-n, dokumente këto të komentuara pjesërisht edhe vite më parë, dëshmojnë për një portret krejt tjetër nga ai që njerëzit e shohin dhe e paraqesin në televizione dhe media të caktuara, Xhavit Halitin.
Në fakt, siç e evidentojnë edhe vetë relacionet e KFOR-it, Xhavit Haliti njihet për eminencën e tij gri në politikë, por gjithashtu shpesh, siç është raportuar, edhe si një njeri që kontrollonte PDK-në, kishte ndikim të madh në SHIK, dhe vlerësohej si një njeri i rrezikshëm. Pas më shumë se një dekade, që kur dolën dokumentet sekrete të NATO-s, të paklasifikuara, si duket janë me shumë interes që të rilexohen dhe rishfaqen, edhe për shkak të shumë ngjarjeve të mëdha që kanë ndodhur, dhe për t’i paraprirë zhvillimeve të ardhshme pozitive.
Për shembull para arrestimit nga gjykata speciale të Hashim Thaçit, sa ishte në detyrën e presidentit, dhe të ish-kryetarit të Kuvendit e kreut të SHIK-ut, Kadri Veselit e të tjerëve askush nuk mund ta paramendonte (besonte) se do të vinte një ditë, ku edhe për gabime jo shumë të rënda, pa vrasje, të arrestohen ‘komandantët’ si Nuredin Lushtaku (Natyrisht ne sidomos që kemi shkruar në vazhdimësi kemi besuar se kjo ditë do të vjen, sikurse edhe për arrestimin e ‘peshqve’ të mëdhenj, që ndodhen në liri).
Kështu thuajse në të gjitha vitet, sipas raportimeve të KFOR-it për Xhavit Halitin, ai biznesin e tij kryesisht e ushtronte nga hoteli “Grand” në Prishtinë, gjë që e dinë thuajse të gjithë të informuarit mirë, edhe pa këtë relacion.
“Për të bërë biznes aktivitetet e tij Haliti është duke e përdorur “Hotel Grandin” në Prishtinë, si një bazë”, thuhet në raport.
Thuajse në çdo raportim Xhavit Haliti rezulton se është një nga figurat çelës (kryesore) të krimit të organizuar në Kosovës, qoftë edhe kur flitet për organizmin e luftës në Kosovën Lindore.
Ai ishte këshilltar i liderit të PDK-së, anëtar i kryesisë së PDK-së dhe “njihet si koordinator shantazhues”.
Atëherë raportohej se kishte një banesë afër ndërtesës së SHIK-ut, afër hotelit “Grand”. Ai gjithashtu raportohej se kishte në pronësi disa shtëpi në Kosovë, në Vitomiricë, Pejë, në zonën e Mitrovicës, dhe gjithashtu në Shqipëri dhe në Zvicër.
Ai vazhdimisht shihej në kafe Dubrovnik, Dardani- Prishtinë, hotel “Theranda” në Prizren, ku takonte lidhjet e tij me një grup, që po ashtu takoheshin në restorant “Thana” që ndodhet ndërmjet Pejës dhe Prishtinës, i përfolur për organizimin e shumë krimeve, përfshirë edhe të vrasjeve politike.
Kishte një Rangrover 4, i vitit 1997, dhe një Land Rover të zi; Po ashtu një armë WAC dhe një revole 9mm prodhim çek.
“Ai është pronar i shumë dyqaneve (depo) dhe restoranteve në Pejë”.
Shërbimi Sekret Shqiptar (SHIK) dhe Partia për Përparim Demokratik të Kosovës (para se ta ndryshonte emrin në PDK) kanë filluar një zhvatje në mbarë Kosovën që ka nxjerrë 400,000 dollarë vetëm nga Ferizaji”.