Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton, i tha presidentit rus, Vladimir Putin në vitin 2000 se zgjerimi i NATO-s nuk do të përbënte kërcënim për Moskën dhe premtoi se do të shqyrtonte mundësinë që Rusia t’i bashkohej aleancës ushtarake.
Këtë e tregojnë dokumentet e deklasifikuara të publikuara nga organizata kërkimore National Security Archive pranë Universitetit George Washington.
“Që në fillim të procesit të zgjerimit të NATO-s, e dija që kjo mund të ishte problem për Rusinë. Kam qenë i ndjeshëm ndaj kësaj çështjeje dhe dua të jetë e qartë se zgjerimi i NATO-s në asnjë mënyrë nuk paraqet kërcënim për Rusinë”, citohet Clinton në transkriptin e bisedës me Putinin në Kremlin më 4 qershor 2000.
Dokumenti, sipas të dhënave, është përgatitur nga Shtëpia e Bardhë.
“Jam serioz kur them se jam i gatshëm të diskutoj për anëtarësimin e Rusisë në NATO”, tha presidenti i 42-të i SHBA.
“E kuptoj që rrethanat e brendshme në Rusi për momentin e bëjnë këtë të pamundur, por me kohën, Rusia duhet të jetë pjesë e çdo organizate që mban të bashkuar botën e civilizuar. Nëse pasardhësit tanë do të përqendrohen te njëri-tjetri si kërcënime kryesore, do të humbin mundësinë për të zgjidhur bashkërisht probleme të tjera. E kuptoj që për shumë rusë NATO ende ka një konotacion negativ. Megjithatë, shpresoj që ju do ta shihni se vendet e Evropës Qendrore nuk ndihen të kërcënuara nga Rusia. Ne duam të ndihmojmë. Sidomos, që tani duhet të përpiqemi të arrijmë një marrëveshje për mënyrën se si do të duket bota në dhjetë vitet e ardhshme. Jam serioz në këtë propozim”, thuhet në deklaratën e Clintonit.
Clinton shtoi se ishte i kënaqur me rivendosjen e bashkëpunimit mes Rusisë dhe NATO-s ndërsa ajo ishte kthyer plotësisht në normalitet.
Ndryshe, dokumentet tregojnë se ngjarja ka ndodhur vetëm pak më shumë se një vit pas sulmeve të NATO-s kundër Serbisë për të ndaluar spastrimin etnik të shqiptarëve në Kosovë, e cila gjë kishte përkeqësuar marrëdhëniet mes SHBA-ve dhe Rusisë.