“LVV “shuplakë” opozitës”, opinionisti reagon ashpër pas seancës: Turp kombëtar, kemi bandë që…

Sot është mbajtur seanca e parë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për konstituimin e kuvendit.

Seanca e sotme filloi me rinominimin e Albulena Haxhiut, e cila përsëri nuk mori vota të mjaftueshme.

Pastaj, Glauk Konjfuca nga Lëvizja Vetëvendosje nominoi Donika Gërvallën Schëarz, që e njëjta nuk mori votat e mjaftueshme (57 vota), duke lënë kështu hapësirë për seancë tjetër.

Seanca e radhës u caktua më 22 gusht, duke filluar nga ora 11:00, ndërsa pasoi me deklarime të opozitës së kaluar dhe partisë fituese.

Memli Krasniqi nga PDK, deklaroi se PDK voton veç një kandidat të pranueshëm nga radhët e partisë së parë që nuk ka qenë pjesë e qeverisë së Kurtit.

“Ne erdhëm sot me shpresën që VV-ja do të rezonojë arsyeshëm dhe do të propozojë një kandidat që merr vota dhe të ecim tutje në krijimin e institucioneve. Megjithatë ju e patë që ata dolën me dy propozime, ndryshe nga herët e kaluara”.

“Nuk e di me çfarë logjike apo me çfarë dispozite e mbylli Avni Dehari seancën, kanë mundur edhe të tjerët t’i propozojnë sot, por së paku mund të themi që kemi një rikthim te pika ku kemi qenë e nga e cila nuk është dashur të largohemi asnjëherë”, u shpreh ai.

“PDK-ja siç ka thënë prej fillimi, e përsërit qëndrimin, do të votojmë një kandidat të pranueshëm nga radhët e partisë së parë që nuk ka qenë pjesë e qeverisë së Kurtit”.

Ndërsa, Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, tha se Lëvizja Vetëvendosje nuk është fare e interesuar që të zgjidhet situata në Kuvendin e Kosovës.

Ajo theksoi se edhe propozimi i Donika Gërvallës ishte vetëm një veprim për të prolonguar konstituimin e Kuvendit.

“LVV-ja sot propozoi dy kandidate për të cilat dihej paraprakisht se nuk i kanë votat”, tha Bajrami.

Kurse, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka kërkuar që LVV fillimisht të kërkojë falje.

“Sot pamë arrogancën e pushtetit dhe të partisë më të madhe. Mendoj se kjo seancë duhej të fillonte me një kërkimfalje, për shkak se janë shkelur kushtetutat. Zoti Dehari, por edhe Vetëvendosja, e patën të qartë që nuk kishim asnjë kërkimfalje, as ndjesë dhe as keqardhje që për gjashtë muaj po e mbajnë peng Kuvendin e Kosovës”, tha Time Kadrijaj nga AAK.

Por, partia fituese tha se problemi nuk paska qëndruar te emri i Haxhiut, por te Lëvizja Vetëvendosje.

“Propozimi i dytë i Vetëvendosjes ishte Donika Gërvalla dhe ne nuk e propozuam vetëm rastësisht. Donika Gërvalla së pari është gruaja e dytë më e votuar në zgjedhjet e 9 shkurtit dhe besoj që kjo duhet të këtë rëndësi për të gjithë, sepse janë votat e qytetarëve që kanë përcaktuar këtë rezultat.

Është zëvendëskryeministre, është person jashtëzakonisht i rëndësishëm, sepse me Donikën ne kemi pasur një partneritet të shkëlqyer, një bashkëpunim tepër të mirë. Për ne kjo ka shumë rëndësi, siç e kanë përmendur edhe përfaqësuesit e Vetëvendosjes ne menduam se do të kalojë ky propozim. Mirëpo, ja që opozita nuk dëshiron që të ndryshojë qëndrimin. Besoj që kurdo që ndodhin zgjedhjet e jashtëzakonshme do ta marrin goditjen e qytetarëve të Kosovës.Besoj që sot jeni bindur që nuk ka qenë problem emri im. Problemi është me VV-në, pra opozita bashkë me Listën Serbe, sepse sot edhe një herë u dëshmua që PDK, LDK, AAK, Lista Serbe janë bashkë. Pra ata në vazhdimësi kanë qenë bashkë dhe sot u dëshmua që janë bashkë”, ka thënë Albulena Haxhiu nga LVV.

Ata madje shtuan se PDK, LDK dhe AAK funksionojnë bashkë me Listën Serbe në unison të pandashëm

“Tashmë çdo gjë është kristal e qartë. Ne pritëm që do të reflektonte opozita, megjithëse ne pritëm që do të reflektonin opozita. E pamë që tashmë në Kosovë janë dy blloqe. Është njëri bllok me 57 vota që kanë dalë nga këto zgjedhje nga vullneti i popullit që është LVV, Partia Guxo dhe Alternativa si dhe partnerët tanë të komuniteteve jo shumicë, jo serb, përfshirë edhe Nenad Rashiq nga komiteti serb.. Ndërkaq, blloku tjetër janë PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe me 56 deputetët, si dhe janë disa deputetë ndërmjet. Janë 56 deputetët përfshirë Listën Serbe nga opozita, PDK, LDK, AAK që janë të interesuar ta mbajnë të bllokuar Kuvendin”, ka thënë Hekuran Murati, deputet i LVV-së.

Rreth propozimit të Lëvizjes Vetëvendosje dhe mos votimit të opozitës ka folur në një prononcim për gazetën “Bota sot”, opinionisti Lirim Gashi.

Ai thotë se me propozimin e Donika Gërvalla- Schëarz, Vetëvendosje i ka dhënë shuplakë atyre që prej 20 vitesh e kanë kthyer kuvendin në pazar lopësh.

“Propozimi i Vetëvendosjes është më shumë se i drejtë – është një shuplakë mbi fytyrat e atyre që prej 20 vitesh e kanë kthyer Kuvendin në pazar lopësh. Donika Gërvalla-Schëarz nuk është thjesht një politikane e zakonshme, por një simbol i rezistencës dhe i dinjitetit. Ajo ka biografi që nuk blihet me tender, që nuk shitet me korrupsion dhe që nuk dhurohet në ambasadat e Serbisë.

Ata që e kontestojnë, në fakt, kanë frikë nga hija e saj morale. Se e dinë: aty ku hyn drita, zhduken minjtë. Populli e thotë qartë: “Kush ka bisht të gjatë, le të mos kalojë pranë zjarrit.” Opozita po digjet nga frika, jo nga Donika”, thotë Gashi.Turp kombëtar e quan ai veprimin e partive opozitare së bashku me Listën Serbe, gjersa shton se ai veprim është sikur të veshësh qeleshen e Skënderbeut dhe të pish raki me Millosheviqin.

“Ky veprim është një turp kombëtar. Kur opozita bën koalicion në bojkot me Listën Serbe, është njësoj sikur të veshësh qeleshen e Skënderbeut dhe të pish raki me Millosheviqin. Nuk është politikë – është pazar i ndyrë i shpirtit.

Në planin politik është vetëvrasje, në planin moral është tradhti, në planin etikë është korrupsion shpirtëror, në planin ekonomik është shkatërrim, në planin psikologjik është kompleks inferioriteti, dhe në aspektin human është një krim ndaj qytetarit që mbetet pa qeveri.

E thotë populli: “Kur kali nuk mund ta ngarkojë barrën, e përmbys qerren.” Kështu bëri opozita – nuk mund ta bartë Kosovën përpara, prandaj e përmbysi qerren e shtetit”, shprehet opinionisti.

Ai kritikon opozitën për sabotim të shtetit, gjersa thotë se ajo është bërë guralec i pistë në këpucën e Kosovës.

“Opozita është bërë si thesi bosh – që vetëm zhurmon, por nuk qëndron kurrë në këmbë. Ajo nuk ndjek asnjë strategji politike, përveç inatit fëminor: “Nëse nuk jam unë, le të mos jetë askush.”

Nga këndvështrimi politik, ky është sabotim i shtetit; nga ai filozofik, është nihilizëm primitiv; nga ai moral, është mëkat; nga ai ligjor, është abuzim; nga ai ekonomik, është vetëvrasje kolektive; nga ai psikologjik, është histeri dhe nga ai human, është mizori.

Populli e ka thënë bukur: “Kush s’e don mullirin, ia zë ujin.” Opozita nuk e do Kosovën, prandaj po ia zë ujin vetëm që të mos rrotullohet rrota e zhvillimit.

Me pak fjalë, opozita është bërë një guralec i pistë në këpucën e Kosovës: nuk e rrëzon, por ia bën ecjen të dhimbshme. Ne në fakt nuk kemi opozitë, as alternativë – ne kemi një bandë, apo një katrahurë të ndarë në pesë pjesë që e mban peng popullin dhe shtetin”, përfundon Gashi për “Bota sot”.