Një incident ka ndodhur ditë më parë në Pazarin e Ri (Novi Pazar), kur një i ri 17 vjeç i komunitetit serb ka provokuar qytetarët shumicë të komunitetit musliman me një bluzë me mbishkrimin “Sve su straže đenerala Draže” (“Të gjitha janë rojet e gjeneralit Draža”), shoqëruar me portretin e Draža Mihailović, udhëheqësi i çetnikëve gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Mesazhi në bluzë, i njohur gjerësisht si simbol nacionalist dhe provokues, menjëherë tërhoqi vëmendjen e tifozëve Torcida Sanxhak të klubit të futbollit të Pazarit të Ri.
Sipas Torcida Sanxhak, sapo kanë vënë re këtë rast ata kanë ndaluar të riun serb dhe i kanë urdhëruar që ta heq atë për të mos nxitur provokime, pasi që, simbolet e tilla nuk kanë vend në këtë vendbanim, një qytet i njohur për bashkëjetesën dhe respektin e ndërsjellë mes komuniteteve etnike e fetare.
Situata u qetësua shpejt pasi babai i djalit kontaktoi me telefon anëtarët e Torcidës, u kërkoi falje për veprimin e të birit dhe i falënderoi për përmbajtjen e treguar.
“Nuk deshëm konflikt, por nuk do të tolerojmë fyerjen e qytetit tonë dhe popullit tonë. Babai tregoi mirëkuptim, dhe me këtë incidenti u mbyll pa tensione të mëtejshme,” deklaroi Torcida Sanxhak.