Kosova e miratoi më 6 tetor, në lexim të dytë Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Por miratimi i tij u pasua me reagim të ashpër nga Bashkimi Evropian, i cili tha se ndryshimet bien ndesh me obligimet ndërkombëtare të Kosovës dhe kërkoi respektimin e pavarësisë së Gjykatës Speciale.
Çfarë pritet të ndodhë tani me ligjin e miratuar nga Kuvendi? A do të dekretohet nga Presidentja, a mund të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese dhe mbi të gjitha, a mund të ketë ndikim në proceset dhe dënimet e ish-krerëve në Hagë?
Për këto pyetje dhe për hapat e ardhshëm flasin për “Front Online” avokatët e akredituar nga Dhomat e Specializuara.
BE kundër ndryshimeve në Ligjin e Speciales, Gashi-Bytyqi-: Jam skeptike se do të kalojë në Kushtetuese
Avokatja e akredituar nga Dhomat e Specializuara në Hagë, Fehmije Gashi-Bytyqi në një prononcim për “Front Online” është deklaruar lidhur me ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara, të miratuara nga Kuvendi i Kosovës në lexim të dytë më 6 tetor.
Gashi-Bytyqi thotë se hapi i radhës është dekretimi i ligjit nga Presidentja, ndërsa për ndikimin e tij në proceset që tashmë janë duke u zhvilluar në Hagë, ajo shprehet skeptike.
“Mbetet ta dekretojë Presidentja. Në këtë moment nuk mund t’u ndihmohet liderëve tanë”, ka deklaruar avokatja.
Sipas saj, fokusi aktual duhet të jetë te procedurat e ankesave në Gjykatën e Apelit në kuadër të Dhomave të Specializuara.
“Koncentrimi është në Gjykatën e Apelit në kuadër të Gjykatës”, tha ajo.
Avokatja shprehet skeptike nëse ky ligj mund të kalojë në Kushtetuese.
“Por sa do të kalojë në Gjykatë Kushtetuese, jam skeptike. Dëshira ekziston të kalojë, por dyshoj”, u shpreh avokatja.
Ajo ka komentuar edhe reagimin e Bashkimit Evropian pas miratimit të ndryshimeve, duke vlerësuar se qëndrimi i Brukselit tregon peshën dhe ndjeshmërinë e kësaj çështjeje.
“Reagimi i BE-së tregon qartë sa serioze është kjo çështje”, tha Gashi-Bytyqi.
BE-ja ka deklaruar se ndryshimet e miratuara nga Kuvendi bien ndesh me obligimet ndërkombëtare të Kosovës ndaj Bashkimit Evropian dhe ka kërkuar respektimin e pavarësisë së Dhomave të Specializuara dhe mandatit të tyre aktual.
Gashi-Bytyqi ka vlerësuar se ndryshimet në këtë ligj është dashur të bëheshin më herët.
“Ndryshimi i këtij ligji është dashur të bëhet më herët”, përfundoi ajo.
Çfarë ndikimi ka Ligji për Specialen te dënimet e ish-krerëve? Flet avokati Skënder Musa
Avokati i akredituar nga Gjykata Speciale në Hagë, Skënder Musa për “Front Online” ka folur lidhur me ndikimin e kalimit në Kuvend të Projektligjit për Specialën.
Sipas tij, Gjykata Kushtetuese nuk mund ta rrëzojë atë, për shkak të një dispozite specifike të përfshirë në ligj.
“Gjykata Kushtetuese nuk besoj se mund ta rrëzojë këtë projektligj, për shkak se një nga dispozitat e ligjit thotë se ky ligj nuk i nënshtrohet Dhomave të Specializuara, Gjykatës Kushtetuese”, ka deklaruar Musa.
Sipas tij, ligji nuk synon t’i shpallë të pafajshëm ish-krerët e UÇK-së, por vendos dispozita që mund të garantojnë një proces më të drejtë gjyqësor.
“Për ndikimin tek ish-krerët, ligji nuk pretendon që i shpall të pafajshëm, por i ka vendosur disa dispozita që garantojnë gjykim të drejtë. Në seancë gjyqësore asnjë ligj nuk mund të ndikojë tek ndihmesa e të akuzuarit, por në Apel duhet të paraqesin prova shfajësuese dhe duhet të kërkohet udhëzimi se ku janë të bazuara ato prova”, tha ai.
Musa ka shprehur gjithashtu kritika ndaj mënyrës se si janë zhvilluar deri më tani procedurat në Gjykatën Speciale.
“Në përgjithësi në Kosovë, qytetarët dhe juristët kanë një bindje që Gjykata në shkallë të parë nuk i zbaton dispozitat ligjore pa dalë jashtë juridiksionit të saj dhe ka qenë jo-neutrale, në një anshme, ku të gjithë janë dënuar dhe asnjë kërkesë e avokatëve mbrojtës apo ankesë nuk është aprovuar. Është e pamundur kjo”, u shpreh Musa.
Ai përmendi edhe rastet kur të akuzuarve nuk u është mundësuar pjesëmarrja në ngjarje familjare.
“As kur kanë qenë prindërit të sëmurë apo kanë vdekur, nuk i kanë lënë të marrin pjesë. Këto tregojnë se ka vepruar në kundërshtim me dispozitat ligjore dhe sistemin juridik të Kosovës”, deklaroi ai.
Musa thotë se nuk pret që ligji i ri të sjellë ndryshime të jashtëzakonshme, ndonëse beson se mund të kontribuojë në vendosjen e standardeve më të mira.
“Do të arrijë me siguruar një standard më të mirë, por nuk pres ndonjë mrekulli nga ky ligj. Mbetet të shihet në të ardhmen”, tha ai. /Front Online