Ambasadori gjerman dhe ai francez: Kosovën e duam në KiE, topi është në fushën tuaj – Dërgojeni draftin në Gjykatën Kushtetuese

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, dhe ambasadori i Francës, Olivier Guerot, kanë komentuar dështimin e përfshirjes së Kosovës në agjendën e Këshillit të Ministrave për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
Rohde deklaroi se qëndrimi i qartë i Berlinit dhe Parisit është komunikuar qysh vitin e kaluar: Kosova duhet të ndërmarrë hapa konkretë për ta dërguar draft-statutin e Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese.

“E kemi bërë të qartë pozitën tonë; e duam Kosovën në Këshillin e Evropës sa më shpejt që të jetë e mundur. Por kjo varet nga hapat që Kosova duhet t’i ndërmarrë, ashtu siç janë përshkruar në letrën e vitit të kaluar nga presidenti Macron, kancelari Scholz dhe kryeministrja Meloni. Pra, topi është në fushën e Kosovës. Dërgojeni draftin në Gjykatën Kushtetuese”, tha Rohde në Rubikon të Klan Kosovës.

Ai theksoi se pa këtë hap nuk mund të ketë përparim drejt anëtarësimit.

“Pa përmbushjen e këtij kushti, nuk mund të lëvizet përpara. Dërgojeni atë në institucionin tuaj për të verifikuar nëse është në përputhje me Kushtetutën. Asgjë nuk ka ndodhur deri tani, dhe nëse vazhdon kështu, nuk mund të prisni rezultate të tjera. Mosndërmarrja e hapave nuk është zgjidhje”, theksoi ambasadori gjerman.

Ndërkohë, ambasadori francez, Olivier Guerot, tha se qëndrimi i Francës është i njëjtë me atë të Gjermanisë dhe se Asociacioni nuk përbën kërcënim për sovranitetin e Kosovës.

“Asociacioni është një temë e vjetër që diskutohet prej vitesh. Shohim përsëritje të frikës se ai mund të shndërrohet në një ‘Republikë Serbe’ të re, dhe e kuptoj këtë shqetësim, njerëzit në Kosovë kanë vuajtur dhe kanë luftuar për një shtet sovran e funksional”, u shpreh Guerot.

Ai sqaroi se draft-statuti i hartuar nga Bashkimi Evropian nuk i jep Asociacionit kompetenca të ngjashme me ato të entitetit serb në Bosnje.

“Republika Serbe ka policinë dhe legjislacionin e vet, Asociacioni nuk do t’i ketë këto. Republika Serbe është pjesë e Kushtetutës së Bosnjës, Asociacioni do të jetë brenda kornizës kushtetuese të Kosovës. Janë dy koncepte tërësisht të ndryshme”, përfundoi Guerot.