Mehmeti tregon me emra: Këtyre politikanëve do t’u konfiskohet pasuria

Kuvendi i Kosovës e ka miratuar në parim Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, ani pse opozita votoi kundër dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka abstenuar sërish.Projektligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme gjatë votimit në Kuvend i mori 58 vota për dhe tre abstenime.

E kryeministri Albin Kurti, ka thënë se me miratimin e këtij projektligji, do të rritet efikasiteti në luftimin e korrupsionit.

“Me votimin e sotëm në lexim të parë të Projektligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, ecim bashkë drejt mundësimit të konfiskimit civil (pa dënim) të pasurisë që nuk justifikohet dot. I falenderoj deputetët e Kuvendit për këtë votim me të cilin iniciuam themelimin e një mekanizmi të rëndësishëm me diskrecion për të hetuar pasurinë e të gjithë personave zyrtarë. Me rekomandimet e vlefshme të Komisionit të Venecias, ky Projektligj do të standardizohet plotësisht në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare dhe, po ashtu, do ta rrisë efikasitetin e luftimit të korrupsionit, siç ka qenë zotimi ynë e për të cilin jemi maksimalisht të përkushtuar”, ka thënë Kurti.

Se miratimi i Projektligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme është një lajm i mirë për Kosovën, e thotë edhe analisti politik, Faton Mehmeti.

“Është lajm i mirë për vendin miratimin e Projektligjit për Byron Shtetërore të Pasurisë, ky është vetëm hapi i parë drejt kthimit të shtetit në rrugën e drejtë. Hapi tjetër duhet të jetë Vettingu, pa të cilin vështirë të zbatohet në praktikë ky projektligj, me këta gjykatës aktual vështirë të ketë drejtësi”, thotë Mehmeti.

Mehmeti tregon edhe me emra personat, që sipas tij i ka alarmuar miratimi i projektligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

“Gjithsesi, miratimi i këtij projektligji ka alarmuar të gjithë ata që “pa brekë i gjeti dreka e milionerë i zuri nata”, pothuajse të gjithë politikanët e pasluftës, kryesisht ata të dal nga lufta. Nën llupën e drejtësisë duhet të jenë kryesisht Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj, Kadri Veseli, Isa Mustafa, Fatmir Limaj, Sami Lushtaku, Xhavit Haliti, Azem Syla etj, për të vërtetuar saktë a e kanë pasurinë në mënyrë të rregullt a jo”, deklaron Mehmeti.

Për fund, ai thotë se konfiskimi i pasurisë së pajustifikuar, paraqet një nga sfidat më të mëdha për Qeverinë Kurti.

“Si në çdo shtet, aty ku ka shumë pasuri ka edhe hetim më të hollësishëm, praktikë e tillë duhet të ndiqet edhe tek ne. Për qeverinë Kurti ky është ndër sfidat më të mëdha bashkë më hapjen e vendeve të punës dhe luftën ndaj korrupsionit, e të cilët janë bazament i premtimeve të Kurtit, por edhe prioritet kryesore të shtetit”, përfundon analisti Faton Mehmeti për “Bota sot”.