Kryeministri serb “çuditet” me aleancën ushtarake Kosovë-Shqipëri-Kroaci: Kundër kujt po bëhet kjo?

Kryeministri në dorëheqje i Serbisë, Millosh Vuçeviq, është marrë me marrëveshjen e nënshkruar mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë për mbrojtje.

Në platformën X, ai ka pyetur se kundër kujt është i menduar ky bashkëpunim, teksa shtoi se “tashmë është e qartë se “shteti i fortë i Serbisë është na përshtatet vetëm neve”.

“Shpresoj që tani të jetë e qartë për çdo qytetar të Serbisë se një shtet i fortë i Serbisë është i përshtatshëm vetëm për ne. Nëse nuk e mbrojmë dhe nuk e ndërtojmë, nuk na pret asgjë e mirë”, theksoi Vuçeviq me rastin e nënshkrimit të Deklaratës për Aleancën Ushtarake të Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë dhe njoftimit të ministrit kroat të Mbrojtjes, Ivan Anushiq se ekziston mundësia që kjo aleancë të zgjerohet edhe në Bullgari në të ardhmen.

Vuçeviq ka pyetur gjithashtu në rrjetin social “X” se cili është interesi i dy anëtarëve të NATO-s për të hyrë në bashkëpunim ushtarak me Kosovën, të cilës i referohet si “institucione të panjohura që janë formuar ilegalisht në një pjesë të territorit serb” dhe pse një tjetër anëtar i NATO-s duhet t’i bashkohet tani një aleance të tillë.

Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, tha se synimi i bashkëpunimit nuk është kërcënim për askënd, por mesazh për ata që synojnë të kërcënojnë rajonin.

“Synimi i këtij bashkëpunimi nuk është rast kërcënimi për askënd, mirëpo është mesazh për ata që synojnë të kërcënojnë sigurinë paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor por edhe sigurinë e vendeve tona. Tri vendet tona që ndajnë vlera dhe interesa të përbashkëta janë të bashkuara për t’u përballur me çdo kërcënim dhe rrezik që synon destabilizimin e regjionit”.

“Rëndësia e këtij bashkëpunimi shtrihet edhe në rrafshe të tjera që u theksuan më herët nga dy ministrat, veçanërisht në industrinë e mbrojtjes, shkëmbimit të personelit, trajnimit dhe edukimit. Një ndër pikat kyçe të këtij dokumenti është që Kroacia dhe Shqipëria do të angazhohen në vazhdimësi për mbështetjen e Kosovës në proceset e saj të integrimit euro-atlantik. Ky dokument hap rrugë për bashkëpunim në veçanti për t’u përballur për rreziqet moderne që kërcënojnë sigurinë rajonale që janë kërcënimet hibride dhe të tjera. Hap rrugë që edhe vende të tjera t’i bashkëngjiten kësaj përpjekje tonë të përbashkët për paqe stabilitet dhe më shumë siguri”, tha ai.