Çka po ndodhë? – Komandanti i KFOR-it shkon për herë të dytë në Beograd, ja cka u fol!

Komandanti i KFOR-it, Roberto Vergori, ka zhvilluar vizitën e dytë në Beograd brenda një muaji, që nga marrja e detyrës. Vergori sot është takuar sërish me shefin e ushtrisë të Serbisë, Milan Mojsiloviq, shkruan Reporteri.net.

 

Në njoftimin e KFOR-it, shtohet se gjatë takimit është theksuar rëndësia e dialogut të vazhdueshëm, koordinimit efektiv dhe mirëkuptimit të përbashkët.

“Sot, në Beograd, komandanti i misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO-ja, gjeneralmajor Roberto Vergori, është takuar me shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë, gjeneralin Milan Mojsilović. Gjatë takimit, ata theksuan rëndësinë e dialogut të vazhdueshëm, koordinimit efektiv dhe mirëkuptimit të përbashkët. KFOR-i vazhdon angazhimin konstruktiv me të gjithë akterët relevantë dhe partnerët ndërkombëtarë, duke kultivuar marrëdhënie të bazuara në paanshmëri, profesionalizëm dhe respekt të ndërsjellë, si dhe duke siguruar komunikim transparent dhe në kohë. KFOR-i mbetet plotësisht i aftë dhe i përkushtuar për përmbushjen e mandatit të tij të vazhdueshëm, në kuadër të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të vitit 1999”, thuhet në njoftimin e KFOR-it.

 

Për takimin e parë, kishte njoftuar edhe ushtria serbe, ku kishte thën se temë bisede mes tyre ka qenë situata e sigurisë në Kosovë, si dhe bashkëpunimi ndërmjet KFOR dhe ushtrisë serbe.

“Gjatë bisedës u theksua rëndësia e komunikimit të hapur dhe të drejtpërdrejtë ndërmjet Ushtrisë së Serbisë dhe KFOR-it në të gjitha nivelet, me qëllim të monitorimit të gjendjes në terren dhe parandalimit të shpërthimit dhe përshkallëzimit të krizave”.

Këtë takim Mojsiloviq e kishte përdorur për të bërë ankesën e zakonshme se “situata e sigurisë në Kosovë është e ndjeshme” dhe se “serbët atje nuk ndihen të sigurt dhe se të drejtat dhe liritë e tyre themelore janë të rrezikuara”.

“Duke theksuar se ushtria e Serbisë e konsideron KFOR-in si të vetmin formacion të armatosur legjitim në Kosovë, ai i kërkoi gjeneralit italian që forcat ndërkombëtare të sigurisë ta zbatojnë mandatin e tyre në mënyrë të qëndrueshme dhe të paanshme, në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe marrëveshjet e tjera të nënshkruara, si dhe të garantojnë një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes, para së gjithash për serbët në Kosovë”, thuhej në njoftimin e ushtrisë serbe.

Mojsiloviq e kishte uruar Vergorin për marrjen e detyrës së re dhe kishte shprehur “pritjen që, gjatë mandatit të tij, bashkëpunimi ndërmjet ushtrisë së Serbisë dhe KFOR-it të jetë profesional dhe në funksion të ruajtjes së paqes dhe stabilitetit në rajon”. /Reporteri.net/.