PASIVIZIMI I ADRESAVE TË SHQIPTARËVE NË JUG TË SERBISË NUK ËSHTË MË VETËM NJË SHQETËSIM SHQIPTAR. ËSHTË EDHE SHQETËSIM EUROPIAN!

Shkruan: Muharrem SALIHU

Raporti i Komisionit Europian për Serbinë, i publikuar më 4 nëntor 2026, e përmend shprehimisht problemin e pasivizimit të adresave dhe u kërkon autoriteteve serbe të marrin masa konkrete.

 

Në faqen 51 të raportit, Komisioni Europian shkruan:

“The authorities need to address the concerns expressed in the Fifth Opinion regarding the procedure for the ‘passivisation’ of addresses.”

 

(Përkthim: Autoritetet duhet të trajtojnë shqetësimet e shprehura në Opinionin e Pestë lidhur me procedurën e pasivizimit të adresave.)

Më tej, Komisioni kërkon:

“…reducing the potential for inconsistent application at local level, by improving methods of communication with affected individuals, and by increasing the clarity and effectiveness of the redress mechanisms.”

(Përkthim: Të reduktohet mundësia e zbatimit jo të njëtrajtshëm të procedurës në nivel lokal, të përmirësohet komunikimi me individët e prekur dhe të rritet qartësia dhe efektiviteti i mekanizmave të ankimit.)

Mesazhi i Brukselit është i qartë:

1. Të shmanget zbatimi i pabarabartë i procedurave të pasivizimit në nivel lokal.
2. Të përmirësohet komunikimi me qytetarët e prekur.
3. Të krijohen mekanizma të qartë dhe efektivë për ankimimin dhe korrigjimin e vendimeve.

Ky konstatim merr një rëndësi edhe më të madhe kur lexohet në kontekstin e raportit, i cili evidenton gjithashtu se plani për përmirësimin e përfaqësimit të shqiptarëve në institucionet shtetërore serbe ende nuk ka prodhuar rezultate të matshme.

Pra, problemi është tashmë i dokumentuar në nivel europian. Nuk mund të trajtohet më si një pretendim i shqiptarëve apo si një çështje e zakonshme administrative e Serbisë.

Por duhet të jemi të qartë: nuk mjaftojnë konstatimet dhe rekomandimet. Nevojiten veprime, monitorim dhe rezultate konkrete!

Bashkimi Europian duhet ta ndjekë nga afër zbatimin e këtyre rekomandimeve dhe të kërkojë llogari nga Beogradi.

Shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë nuk u duhet një e drejtë vetëm në letër. U duhet e drejta për të jetuar në shtëpitë e tyre, për të ruajtur adresat, dokumentet, identitetin dhe dinjitetin e tyre.

Nuk mund të flitet për integrim europian të Serbisë pa respektimin e të drejtave të shqiptarëve!

Ky është një standard europian. Dhe duhet të zbatohet!