Konjufca “poshtëron” Marko Gjuriqin në OKB

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka kritikuar raportin e UNMIK-ut gjatë adresimit të tij në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, duke e cilësuar atë të njëanshëm dhe me elemente të dezinformimit që, sipas tij, i bëjnë jehonë propagandës së Serbisë.

 

Konjufca ka thënë se raporti i interpreton gabimisht veprimet e institucioneve të Kosovës në zbatimin e ligjit, duke i paraqitur ato si të motivuara etnikisht apo si shkelje të të drejtave të qytetarëve serbë, shkruan IndeksOnline.

Ai ka theksuar se, si rezultat i përmirësimit të situatës së sigurisë në veri të Kosovës, KFOR-i ka optimizuar pozicionimin e forcave të tij, duke krijuar kushte që institucionet e Kosovës të thellojnë praninë dhe bashkëpunimin e drejtpërdrejtë edhe me qytetarët serbë.

 

Ministri ka shprehur pakënaqësi për mënyrën se si raporti i UNMIK-ut trajton zhvillimet në Kosovë, duke përmendur në veçanti sulmin në Banjskë, më 24 shtator 2023, për të cilin institucionet e Kosovës kanë akuzuar Serbinë për organizim dhe mbështetje.

“Është dëshpëruese që shumë këso rastesh të trajtuara në raportin e UNMIK-ut bazohen kryesisht te propaganda serbe. Është fatkeqe që edhe sulmi paramilitar në Banjskë, i organizuar, orkestruar, mbështetur nga Beogradi zyrtar, përmes Radoiçiqit, përmendet në këtë raport si një ngjarje e dhunshme në vend që të përmendet siç është, pra sulm terrorist”, ka deklaruar Konjufca.

Ai ka pretenduar se rastet e përmendura në raport dhe të cilat, sipas tij, paraqiten si të motivuara politikisht apo etnikisht, nuk kanë prapavijë etnike.

Sipas Konjufcës, disa veprime të Policisë së Kosovës janë interpretuar gabimisht si arrestime apo persekutim i serbëve, ndërkohë që, siç ka thënë ai, personat janë shoqëruar në përputhje me ligjet në fuqi.

Ai ka shtuar se disa prej këtyre rasteve kanë të bëjnë me keqpërdorimin e ngjarjeve festive dhe fetare për përhapjen e mesazheve që, sipas tij, nxisin urrejtje dhe përçarje, duke cenuar integrimin ndëretnik në Kosovë.

Konjufca ka kritikuar gjithashtu trajtimin e incidenteve të raportuara në objektet fetare në Kosovë. Ai ka thënë se Policia e Kosovës ka hapur hetime për secilin incident të regjistruar, por ka theksuar se, sipas tij, nuk ka prova që këto raste janë kryer nga shqiptarët apo që motivi i tyre ka qenë tensioni etnik.

Për këtë arsye, ministri e ka cilësuar të palogjikshme që këto raste të regjistrohen zyrtarisht si incidente etnike, duke pretenduar se pretendime të tilla bazohen kryesisht në raportimet e Serbisë dhe të zyrës së saj për Kosovën.

Në fund të adresimit të tij, Konjufca i ka bërë thirrje Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara që të mos e miratojë raportin, të cilin e ka cilësuar të çrregullt dhe të njëanshëm.

“I bëjmë thirrje Sekretarit të Përgjithshëm që të ushtrojë vëmendje dhe të përmbahet nga miratimi i raportit të njëanshëm të çrregulluar si narrativ i UNMIK-ut që i bën jehonë propagandës së Serbisë. Raporti i saktë është qenësor për të siguruar që ky mision të mos bëjë dëm, përkundër faktit që ka qëndruar kaq gjatë”, ka deklaruar Konjufca.

Ai ka vlerësuar se raportimi i saktë dhe i paanshëm është thelbësor për të shmangur keqinterpretimin e situatës në Kosovë dhe për të garantuar që misioni i UNMIK-ut të mos ndikojë negativisht në zhvillimet në vend.

“Raporti i UNMIK-ut po ashtu joproporcionalisht vë dritën e vëmendjes te disa incidente të pretenduara te disa objekte fetare në Kosovë. Raporti thekson se Policia e Kosovës ka hapur hetime për secilin incident të regjistruar. Pastaj nuk e thotë se asnjë incident, asnjë provë nuk tregon se shqiptarët i kanë kryer këto vepra apo ndonjë provë të tensioneve etnike që qëndrojnë si motiv i këtyre kundërvajtjeve” tha ai.