Ambasadorja e presidentit Donald Trump në Greqi, Kimberly Guilfoyle, dha dorëheqje të martën pas akuzave për sjellje të papërshtatshme, por këmbënguli se do të “mbrohet fuqishëm” ndaj tyre.
Administrata e Trumpit bëri të ditur më herët të martën se i kishte kërkuar Guilfoyle të largohej nga posti, pasi ajo u përball me kritika të ashpra lidhur me akuzat se kishte kryer veprime të papërshtatshme dhe ndoshta të paligjshme, para dhe gjatë mandatit të saj në Athinë, raporton AP, transmeton Klankosova.tv.
Njoftimi, pas disa ditësh komentesh dhe spekulimesh, erdhi si përgjigje ndaj një pyetjeje drejtuar zëdhënëses së sapoemëruar të Shtëpisë së Bardhë, Katie Zacharia, gjatë konferencës së saj të parë për media të martën në mëngjes. Zacharia tha se Guilfoyle “ka qenë një aset i mrekullueshëm për ekipin dhe i urojmë gjithë të mirat”.
Largimi i Guilfoylet vjen pasi kjo mundësi ishte paralajmëruar për agjencinë e lajmeve “The Associated Press” gjatë fundjavës, ndërsa Trumpi shprehu të hënën pakënaqësinë e tij lidhur me raportimet për sjelljen e saj të pretenduar.
“Epo, po e shqyrtojmë këtë”, u tha Trump gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë, kur u pyet nëse po mendonte ta shkarkonte Guilfoyle. “Nuk jemi të kënaqur”.