Vjen një kërkesë e re për Lirim Mehmetajn

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës është shprehur i shqetësuar për kanosjen dhe rrezikimin e sigurisë fizike të gazetarit Lirim Mehmetaj, themelues i Vox Kosova.

 

AGK-ja, përmes një reagimi në Facebook, ka dënuar në termat më të ashpër aktin e kanosjes së ndodhur mbrëmë, për të cilin është arrestuar ish-deputeti Gani Geci, transmeton Klankosova.tv.

“Shprehja e mendimit të lirë për çështje me interes publik dhe për figura publike, përfshirë deputetët, është një e drejtë themelore në një shtet demokratik”, thuhet në reagim.

 

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka shprehur mirënjohje për reagimin e shpejtë të Policisë së Kosovës dhe përkushtimin e Prokurorisë për ta trajtuar rastin me seriozitetin që meriton.

AGK-ja, gjithashtu, i bëri thirrje Policisë së Kosovës që të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të garantuar sigurinë fizike të Mehmetajt dhe familjes së tij.

“Kanosja ndaj gazetarit Mehmetaj pasqyron klimën e vështirë në të cilën ushtrohet gazetaria në Kosovë dhe nevojën urgjente për t’i dhënë fund intimidimit të punonjësve të medias. Aktet e tilla përbëjnë një goditje të rëndë ndaj lirisë së medias dhe të drejtës së qytetarëve për t’u informuar”.