Lajmi i Fundit: Cka pritet te ndodh deri me 27 nentor ne hage?

Palët në procesin ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së kanë afat deri më 27 nëntor për të njoftuar nëse do ta apelojnë aktgjykimin e 16 shtatorit.

 

Dhomat e Specializuara bëjnë të ditur se apeli mund të shqyrtojë gabime ligjore, faktike dhe dënimet.

Ehat Miftaraj vlerëson se vendimi mund të marrë 12 deri në 18 muaj, ndërsa avokati Arbër Jashari thekson sfidat e zbatimit të ndryshimeve ligjore.

 

Trupi Gjykues i Dhomave të Specializuara shpalli publikisht më 16 shtator 2026, në Hagë, aktgjykimin e shkallës së parë ndaj katër ish-drejtuesve të UÇK-së.

Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Kadri Veseli me 18 vjet dhe Rexhep Selimi me 13.

Aktgjykimi është i shkallës së parë dhe nuk përbën vendim të formës së prerë.

Të katër u shpallën fajtorë për katër akuza të krimeve të luftës dhe të pafajshëm për gjashtë akuza të krimeve kundër njerëzimit.

Në dënimet e njësuara llogaritet koha e kaluar në paraburgim. Të katër të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm për të gjitha akuzat.

Gjykata tha se procesi nuk trajtonte legjitimitetin e UÇK-së ose synimin e saj për pavarësi, por përgjegjësinë individuale të të akuzuarve.

Në përmbledhje thuhet se “Lidhur me këtë aspekt, përgjegjësia penale para Dhomave të Specializuara është vetëm personale.”

Pikat e pafajësisë

Për krimet kundër njerëzimit, gjykata konstatoi se prokuroria nuk provoi jashtë dyshimit të arsyeshëm se sulmi ishte drejtuar kundër një popullate civile.

Megjithëse konstatoi sulm të përhapur dhe sistematik, trupi gjykues vlerësoi se viktimat ishin shënjestruar kryesisht për faktorë individualë.

Sipas arsyetimit, nuk u provua shënjestrimi mbi bazën e përkatësisë së tyre në një popullatë civile, siç kërkohej për këto akuza.

Kjo solli pafajësi për përndjekjen, burgosjen, veprimet e tjera çnjerëzore, torturën, vrasjen e paligjshme dhe zhdukjen me forcë si krime kundër njerëzimit.

Sipas gjykatës, konflikti i armatosur jondërkombëtar ndërmjet UÇK-së dhe forcave jugosllave e serbe përfundoi rreth 20 qershorit 1999.

Incidentet që filluan pas kësaj date, kur normat humanitare nuk zbatoheshin më për personat përkatës, nuk u cilësuan krime lufte.

Sipas gjykatës, mbrojtja humanitare vazhdonte, në parim, për personat e ndaluar gjatë konfliktit, deri në përfundimin e heqjes ose kufizimit të lirisë.

U dha pafajësi edhe për incidente të paprovuara ose jashtë juridiksionit, si dhe kur akuzat përfshiheshin në akuza më konkrete.

“Konstatimet” për krimet e luftës

Të katër u shpallën fajtorë për “arrestim dhe ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.”

Gjykata i lidhi dënimet me ndalimin arbitrar të pretenduara të së paku 385 personave dhe torturimin e pretenduar së paku 303 personave.

Vendimi përfshin gjithashtu trajtimin të pretenduar mizor të së paku 49 personave dhe vrasjen e paligjshme të së paku 96 personave.

Trupi gjykues konstatoi trajtim të pretenduar mizor ndaj 348 personave.

Për shumicën, kjo akuzë u përfshi në atë të torturës.

Pika e veçantë për trajtim mizor mbulon 45 persona të patorturuar dhe katër viktima të keqtrajtuara e të torturuara në qendra të ndryshme.

Konstatimet për këto krime mbulojnë periudhën nga prilli 1998 deri më 20 qershor 1999.

Sipas përmbledhjes së publikuar në uebfaqen e Dhomave të Specializuara, ndalimet pretendohen të jen kryer në 14 komuna të Kosovës dhe në disa vendndodhje të dy rretheve të Shqipërisë veriore.

Gjykata konstatoi mungesë baze ligjore dhe garancish procedurale, si dhe kushte çnjerëzore, keqtrajtime fizike e psikologjike në qendrat e ndalimit.

Reklamë

Sipas trupit gjykues, viktimat nuk merrnin pjesë aktive në luftime dhe gëzonin mbrojtje sipas së drejtës humanitare ndërkombëtare.

Përgjegjësia individuale por Ndërmarrje e përbashkët Kriminale

Gjykata e mbështeti përgjegjësinë penale në “kontributin e qenësishëm” të secilit në një ndërmarrje kriminale të përbashkët.

Sipas saj, qëllimi përfshinte “shënjestrimin, eliminimin ose neutralizimin e personave të konsideruar kundërshtarë, përmes ndalimeve, keqtrajtimeve dhe vrasjeve.”

Mes tyre përmenden persona të lidhur me LDK-në e FARK-un, persona të dyshuar për lidhje me autoritetet serbe dhe pjesëtarë pakicash.

Trupi gjykues nuk përcaktoi nëse objektivat e pavarësisë dhe kontrollit politik ishin të paligjshëm; vlerësimi penal lidhej me mjetet e përdorura.

Trupi gjykues nuk pranoi argumentin e mbrojtjes që krimet t’u atribuoheshin gjakmarrjeve, hakmarrjeve personale, bandave ose civilëve që ktheheshin në vend.

Për Thaçin, gjykata pretendon rol kyç në formulimin dhe zbatimin e qëllimit të përbashkët, përmes Drejtorisë Politike, komunikatave dhe emërimeve.

Ajo konstatoi edhe pjesëmarrje “në ndalimin e 13 parlamentarëve, si dhe në arrestimin, ndalimin, transferimin dhe vrasjen e paligjshme të Behajdin Allaqit.”

Për Veselin, arsyetimi përqendrohet te drejtimi i zbulimit dhe identifikimi, vëzhgimi e shënjestrimi i personave të konsideruar kundërshtarë.

Edhe Veseli, sipas konstatimeve të gjykatës, “mori pjesë në arrestimin, ndalimin, transferimin dhe vrasjen e paligjshme të Behajdin Allaqit.”

Për Selimin, gjykata pretendon të ketë evidentuar rolin në strukturat operative, inspektimet dhe ndalimin e 13 parlamentarëve, duke konstatuar edhe dijeni për krimet.

Gjykata theksoi gjithashtu se krijimi i zonave operative dhe njësive të UÇK-së nuk përbënte, në vetvete, veprim kriminal.

Gjykata pranoi se pozita e inspektorit të përgjithshëm i jepte “më pak pushtet sesa të akuzuarve të tjerë.”

Për Krasniqin, konstatimet lidhen me rolin politik, komunikatat, deklaratat publike dhe urdhrat, të cilat gjykata i vlerësoi si nxitje për krime.

Sipas trupit gjykues, Krasniqi kishte dijeni për krimet, nuk ndërmori hapa të mirëfilltë për parandalimin e tyre dhe mohoi ose minimizoi pretendimet.

Rrethanat e dënimit

Gjykata tha se mori parasysh peshën e krimeve, pasojat për viktimat, shkallën e përfshirjes dhe rrethanat individuale. Keqpërdorimi i pushtetit u vlerësua si rrethanë rënduese.

Mes rrethanave lehtësuese për Thaçin u përfshinë, me peshë të kufizuar, mbështetja për themelimin e Dhomave, dorëzimi vullnetar, bashkëpunimi dhe rrethanat familjare.

Për Veselin, rrethana lehtësuese u konsideruan familja, sjellja gjatë procesit dhe dorëzimi vullnetar. Secilit prej këtyre faktorëve iu dha peshë e kufizuar.

Për Selimin u vlerësuan rrethanat familjare, dorëzimi vullnetar dhe bashkëpunimi me prokurorinë, përfshirë përgjigjet përgjithësisht të sinqerta gjatë intervistave.

Për Krasniqin u morën parasysh mosha e shtyrë, rrethanat familjare dhe sjellja gjatë procesit.

Procesi dhe hapat e mëtejshëm

Gjykimi nisi më 3 prill 2023 dhe u mbyll më 18 shkurt 2026, pas deklaratave përmbyllëse të palëve.

U administruan prova nga 273 dëshmitarë dhe 5.467 prova materiale. Në proces morën pjesë 156 viktima.

Trupi gjykues raportoi atmosferë frikësimi të dëshmitarëve, ndryshime dëshmish dhe nevojën për masa mbrojtëse për identitetin dhe sigurinë e tyre.

Gjykata sqaroi se përmbledhja publike nuk është pjesë e aktgjykimit. Vetëm aktgjykimi i plotë është dokument autoritativ për konstatimet dhe verdiktin.

Versioni publik i redaktuar dhe përkthimet e aktgjykimit do të publikohen më vonë, sipas njoftimit të dhënë gjatë seancës.