Vjen reagim i ashper i Gani Gecit drejt Albin Kurtit, ja cka i permend

Gani Geci akuzon Vetëvendosjen se ka rënë në heshtje për Behajdin Allaqin pikërisht kur gjykata nxori aktgjykimin. Sipas tij, kjo është e njëjta parti që për vite me radhë e mbajti këtë rast në krye të çdo kërkese për drejtësi.

 

Në një postim në Facebook, Geci nuk e kursen as Albin Kurtin, liderin e Vetëvendosjes. Ai e akuzon atë dhe partinë se kërkesën për zbardhjen e rasteve Allaqi e Dehari e përdorën si shkallë drejt pushtetit. Tani, në pushtet, sipas tij, ata heshtin.

“Pasi LVV-ja erdhi në pushtet dhe pas shpalljes së aktgjykimit për Bejadin Allaqin, Albin Kurti, bashkë me LVV-në, i kanë shti veshët në lesh. Nuk po guxojnë të thonë, të paktën, se Bejadin Allaqi dhe Astrit Dehari nuk janë gjallë”, shkruan Geci.

 

Heshtjen e Kurtit e tall me një thënie popullore: “Shyqyr që ra kjo dekë e ua pamë burrërinë dhe guximin e Albin Kurtit dhe LVV-së.”

Geci kujton se, para se të merrte pushtetin, Vetëvendosja i kishte këto dy emra në gojë çdo ditë.

“Ndërsa LVV-ja, për të ardhur në pushtet, çdo ditë kërkonte zbardhjen e rasteve të dy viktimave të LPK-së, Bejadin Allaqit dhe Astrit Deharit”, shkruan ai.

Akuza e tij nuk ndalet te heshtja. Geci e vendos Vetëvendosjen në të njëjtin kamp me PDK-në dhe pretendon se të dyja partitë kanë punuar bashkë kundër LDK-së.

“LVV-ja edhe PDK-ja së bashku bënë luftë speciale kundër LDK-së për vite me radhë. E sulmonin LDK-në pse i përmendte viktimat e veta të luftës dhe pas luftës”, shkruan ai.

Geci i drejtohet Vetëvendosjes me një pyetje të drejtpërdrejtë: “A u bëtë bashkë me ata që, me aktgjykim, janë dënuar për rastin e Bejadin Allaqit?”

Reklamë

Sipas tij, në themel të aktgjykimit qëndrojnë dëshmi të njerëzve të Vetëvendosjes: “Shyqyr që edhe aktgjykimi atje u shkrua me dëshmitë e fshehta të anëtarëve të LVV-së.”

Geci shkroi më tej se, sipas tij, “kjo u bë për arsye se të dyja palët, PDK-ja dhe LVV-ja, ishin pjellë e LPK-së dhe dinin mirë për veprimet e njëra-tjetrës në të gjitha kohërat”, shkruan Geci.

Postimi i Gani Gecit vjen ndërsa një deputet nga radhët e shumicës, Fatos Geci, shkaktoi reagime për shkak të një shkrimi në Facebook.

Deputeti i Vetëvendosje (në kuadër të Guxo-s), Fatos Geci, ka tmerruar me një shkrim duke i tejkaluar edhe kualifikimet e vetë Gjykatës Speciale ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve.

Ai shkroi se Thaçi “ka vrarë” ish-veprimtarin Behajdin Allaqin dhe “244 atdhetarë të tjerë.”

Gjykata Speciale i ka dënuar në shkallë të parë për “përgjegjësi komanduese” dhe si “ndërmarrje e përbashkët kriminale,” udhëheqësit e organeve drejtuese të UÇK-së, çka Geci e merr krejt të mirëqenë.

Geci e nisi shkrimin me sulm ndaj gazetarit Fidan Jupolli teksa u lëshua në kualifikime të vendimit të Gjykatës Speciale si të vërteta.

Fatos Geci ishte dënuar, së paku publikisht, nga Glauk Konjufca, i dyti i Vetëvendosjes, i cili e ngarkonte për “padituri” Fatos Gecin, që dënimi i krerëve të UÇK-së në Hagë ka implikime mbarëkombëtare dhe të luftës çlirimtare në përgjithësi.

Kjo pasi Geci, në një debat parlamentar, kishte kërkuar dhe uruar “për burgim të përjetshëm” ndaj Hashim Thaçit, duke e vendosur në paralel me vrasësin e gruas së vet, Naim Murselin, çka kishte shkaktuar debat të madh në vend për përshtatshmërinë e tij në të qënit deputet i Kuvendit të Kosovës.