Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë një ofertë shtesë dhe konkrete për Partinë Demokratike të Kosovës lidhur me zgjedhjen e presidentit të ri dhe vazhdimin e procedurës për Projektligjin për Dhomat e Specializuara.
Kurti ka thënë se nëse PDK-ja garanton së paku gjysmën e votave të grupit të saj për profesorin Bekim Sejdiu, atëherë mund të vazhdohet me leximin e dytë të projektligjit, duke theksuar se votat e tjera për zgjedhjen e presidentit, sipas tij, do të siguroheshin nga LDK-ja.
Ai i ka kërkuar PDK-së që të dalë publikisht dhe të deklarojë se së paku gjysma e deputetëve të saj do të marrin pjesë në procesin e zgjedhjes së presidentit, madje duke thënë se nuk është problem edhe nëse votojnë kundër kandidatit.
“Na kanë kërkuar voton katër herë, kemi qenë të gatshëm. Unë po ia kërkoj votën kundër për Bekim Sejdiun. Nëse dojnë ata edhe për me votu ne nuk ka kundërshtim, veç le të marrin pjesë në seancë”, ka deklaruar Kurti.
Kurti ka thënë se me pjesëmarrjen e PDK-së në seancë do të krijohej një mundësi për të vazhduar proceset institucionale. Ai ndërkohë ka garantuar se, sipas tij, janë 62 deputetë që do ta mbështesin Projektligjin për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.