Biznesmeni Behgjet Pacolli ka reaguar ndaj deklaratave të bëra për të në emisionin “Top Story”, duke i cilësuar ato si të pavërteta dhe shpifëse.Pacolli ka paralajmëruar se të hënën do t’u drejtohet institucioneve dhe gjykatave në Tiranë dhe Lugano, duke thënë se deklaratat e Ylli Manjanit dhe Arjan Currit do të përballen me dokumente dhe përgjegjësi ligjore.
Reagimi në Facebook:
Paralajmërim për Ylli Manjanin dhe Arian Currin!
Pas kthimit tim nga një udhëtim i gjatë, u njoha me deklaratat e bëra në emisionin “Top Story” të Grida Dumës në Top Channel, ku ishin të ftuar, ndër të tjerë, ish-ministri Ylli Manjani dhe “opinionisti” Arjan Curri. Edhe sot insertët e këtij emisioni, qellimëshem sillën në rrjetët sociale.
Në atë emision, në adresën time u artikuluan nga z. Manjani akuza dhe pretendime të rënda, të cilat i konsideroj të pavërteta, shpifëse dhe të pambështetura në fakte. I kundërshtoj ato plotësisht dhe jam i gatshëm t’i përball çdo pretendim me dokumente dhe prova. Prej kohësh jam përballur me akuza të pabazuara që synojnë të dëmtojnë emrin tim dhe reputacionin e kompanive që kam ndërtuar me dekada pune. Kritika është e ligjshme dhe secili është i lirë të ketë opinionin e tij, qoftë kjo edhe nga kolltuku i rehatisë duke i rënë në qafë njerëzve që punojnë e ju ofrojnë punë mijëra të tjerëve. Por shpifja dhe paraqitja e të pavërtetave si fakte janë diçka tjetër dhe për to secili duhet të mbajë përgjegjësi.
Veprimet ligjore do të përfshijnë edhe z. Arjan Curri për deklaratat e tij. Edhe për deklarime të mëparshme të tij ndaj meje çështja është ndjekur në rrugë ligjore. Të hënën do t’u drejtohem institucioneve kompetente dhe Gjykatës në Tiranë dhe në Lugano në mënyrë që gjithçka e thënë publikisht të përballet me fakte, dokumente dhe përgjegjësi ligjore.
Nuk do të lejoj që emri im dhe puna ime të përdoren për interesa apo qëllime që u takon autorëve të këtyre deklaratave t’i shpjegojnë dhe, kur është rasti, t’i provojnë përpara institucioneve ligjore. Publiku meriton të informohet mbi bazën e fakteve, jo të akuzave të pambështetura. Mbase dikush në këtë vend duhet tu tregojë vendin shpifësve dhe sharlatanëve që kanë profesion vetëm vrasjen publike me pagesë.