Ekskluzive| Thirret seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës

Kuvendi i Kosovës pritet që sonte të thërrasë seancë të jashtëzakonshme për shqyrtimin e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

 

Sipas informacioneve të fundit të Gazeta Minuti, në qendër të seancës pritet të jetë një pikë e vetme e rendit të ditës – shqyrtimi i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Lëvizja vjen pasi Qeveria e Kosovës, në një mbledhje elektronike të zhvilluar të premten, ka miratuar përgjigjen ndaj kërkesës së Kuvendit dhe e ka proceduar atë për nismën legjislative. Qeveria ka vlerësuar se nuk ka pengesa ligjore për nismën, duke përfshirë edhe opinionin për përputhshmërinë me acquis të Bashkimit Evropian, vlerësimin e ndikimit buxhetor dhe opinionin ligjor për përmbajtjen e projektligjit, shkruan Gazeta Minuti.

 

Projektligji është iniciuar nga Partia Demokratike e Kosovës dhe parasheh ndryshime në kuadrin ligjor që rregullon mandatin dhe funksionimin e Dhomave të Specializuara.

Sipas përmbajtjes së publikuar të nismës, ndër ndryshimet e propozuara janë kufizimi i juridiksionit të Dhomave të Specializuara, transferimi në Kosovë i rasteve që, sipas propozimit, nuk hyjnë në juridiksionin e tyre, si dhe ndryshime lidhur me dënimet dhe mënyrën e ekzekutimit të tyre.

Tashmë mbetet që Kryesia e Kuvendit ta caktojë zyrtarisht seancën dhe rendin e ditës.