Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka kërkuar stabilitet institucional në Kosovë, pas takimeve që zhvilloi të enjten me ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, dhe kryeministrin Albin Kurti.
Pak pas përfundimit të takimeve, von der Leyen përmes një postimi në platformën X përcolli mesazhin kryesor për institucionet e Kosovës.
“Stabiliteti institucional është thelbësor për Kosovën. Ai është baza për gjithçka tjetër”, shkroi von der Leyen.
Ajo theksoi se funksionaliteti i institucioneve është i domosdoshëm për avancimin e reformave, rritjen ekonomike dhe përparimin e Kosovës në rrugën drejt integrimit evropian.
“Reformat. Rritjen ekonomike. Dhe përparimin në rrugën drejt integrimit evropian. Kemi parë së fundmi se dialogu ndërmjet partive politike është i mundur. Dhe ju duhet të ndërtoni mbi këtë dialog”, deklaroi presidentja e Komisionit Evropian.
Mesazhi për stabilitet institucional erdhi pas një periudhe të gjatë të krizës politike në Kosovë, e cila ka ndikuar në funksionimin e institucioneve dhe në proceset e rëndësishme politike.
Von der Leyen, gjatë konferencës së përbashkët me kryeministrin Kurti, u ndal edhe te nevoja që Kosova të përmbyllë procesin institucional përmes zgjedhjes së presidentit të vendit.
Ajo inkurajoi partitë politike që të vazhdojnë dialogun dhe të gjejnë zgjidhje për çështjet institucionale.
Sipas saj, dialogu politik i zhvilluar së fundmi dëshmon se partitë në Kosovë mund të bashkëpunojnë dhe se ky komunikim duhet të shërbejë si bazë për tejkalimin e krizës institucionale.
Vizita e von der Leyen në Kosovë vjen në një periudhë të rëndësishme për vendin, në të cilën funksionalizimi i plotë i institucioneve shihet si i domosdoshëm për avancimin e reformave dhe të agjendës evropiane të Kosovës.
01.10.2026 – 15:00
Von der Leyen kërkon zgjedhjen e presidentit: Stabiliteti institucional, themel i përparimit drejt BE-së
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka deklaruar se Kosova ndodhet në një moment të rëndësishëm politik, duke bërë thirrje për stabilitet institucional dhe vazhdim të dialogut ndërmjet partive politike.
Në konferencën për media pas takimit me kryeministrin Albin Kurti, von der Leyen ka folur edhe për aktgjykimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës, duke theksuar se vendimi lidhet me përgjegjësinë individuale të personave të akuzuar.
“Aktgjykimi është dhënë nga një institucion i pavarur gjyqësor dhe mandati i tij duhet të respektohet. Mbrojtja ka të drejtë që të apelojë, por një gjë është e qartë: ky aktgjykim ka të bëjë me përgjegjësinë individuale të personave të pandehur. Rezistenca e Kosovës nuk ka qenë në gjykim”, ka thënë von der Leyen.
Ajo ka bërë thirrje për respektimin e kujtesës së të gjitha viktimave dhe për ecjen përpara drejt pajtimit.
Von der Leyen: Hapi i radhës është zgjedhja e Presidentit
Duke folur për situatën politike në Kosovë, presidentja e Komisionit Evropian ka vlerësuar se krijimi i Kuvendit dhe Qeverisë është një zhvillim pozitiv, ndërsa si hap të radhës ka veçuar zgjedhjen e Presidentit të Kosovës.
“Kuvendi dhe qeveria janë themeluar, kjo është mirë. Hapi i radhës është zgjedhja e presidentit apo presidentes”, ka deklaruar ajo.
Von der Leyen ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet subjekteve politike, duke thënë se stabiliteti institucional është i domosdoshëm për reformat dhe zhvillimin ekonomik.
“Stabiliteti institucional është themeli i gjithçkaje për reforma, për rritje dhe për përparim në rrugëtimin tuaj drejt BE-së”, ka thënë ajo.
Kosova mund të përfitojë deri në 882 milionë euro
Presidentja e Komisionit Evropian ka përsëritur mbështetjen e BE-së për perspektivën evropiane të Kosovës, duke e lidhur atë me zbatimin e reformave.
Ajo ka bërë të ditur se Kosova mund të përfitojë deri në 882 milionë euro përmes Planit të Rritjes, ndërsa deri tani ka marrë 62 milionë euro parafinancim.
“Plani i Rritjes mund t’ju çojë më afër drejt tregut të përbashkët dhe ju duhet ta kapni këtë mundësi”, ka deklaruar von der Leyen.
Ajo u ka bërë thirrje institucioneve të Kosovës që të avancojnë me reformat dhe të sigurojnë funksionalitet të plotë institucional.
Von der Leyen ka përmendur edhe procesin e roaming-ut dhe anëtarësimin e mundshëm të Kosovës në SEPA si dy fusha ku pret progres të mëtejshëm.
“Tani keni kryenegociatorin e emëruar dhe shpresojmë që negociatat të fillojnë”, ka thënë ajo për roaming-un.
Ndërkaq, për SEPA-n, ajo ka deklaruar se miratimi i legjislacionit përkatës do t’i hapte Kosovës rrugën drejt anëtarësimit në Zonën e Përbashkët të Pagesave në Euro.
Sipas saj, SEPA ka potencial t’u kursejë kompanive të Ballkanit Perëndimor deri në 500 milionë euro në vit.
Von der Leyen: Kosova duhet ta ruajë karakterin multietnik
Presidentja e Komisionit Evropian ka folur edhe për raportet ndërmjet komuniteteve në Kosovë, duke theksuar nevojën për ndërtimin e besimit me komunitetin serb.
“E ardhmja evropiane e Kosovës varet nga shoqëria që e ndërton. Kosova duhet të ruajë karakterin multietnik, të ndërtojë besimin me komunitetin serb”, ka deklaruar ajo.
Von der Leyen ka përmendur edhe disa hapa të ndërmarrë gjatë këtij viti, përfshirë marrëveshjen e 14 marsit dhe marrëveshjen për personat e pagjetur.
Gjatë vizitës në Kosovë, von der Leyen pritet të vizitojë edhe Universitetin e Prishtinës, ku do të takohet me studentë dhe do të shohë hapësirat e ndërtuara me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian.
“Unë besoj në të ardhmen evropiane të Kosovës”, ka përfunduar von der Leyen.
01.10.2026 – 14:49
Ligji për Specialen, Von der Leyen: Kosova vendos, por e rëndësishme pavarësia e gjyqësorit
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në një konferencë të përbashkët me kryeministrin Albin Kurti, është pyetur rreth nismës ligjore të PDK-së për Projektligjin për ndryshim/plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Ajo ka thënë se i përket Kosovës të vendosë për këtë çështje, megjithatë, sipas saj, është e rëndësishme që Gjyqësori të mbetet i pavarur.
“Sa i përket kornizës ligjore, ndryshimit, i përket Kosovës të vendosë.
Është me rëndësi që të garantohet pavarësia e gjyqësorit, dhe në këtë kuadër të pavarësisë i përket Kosovës të vendosë se çfarë është e nevojshme të bëhet, por është e rëndësishme që gjyqësori të mbahet i pavarur”, tha Von der Leyen.
01.10.2026 – 14:49
Von der Leyen: Besoj në të ardhmen evropiane të Kosovës
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen, ka deklaruar se beson në të ardhmen evropiane të Kosovës.
Ajo tha se e di se sa thellësisht qytetarët e Kosovës e ndiejnë veten evropianë, duke theksuar se kjo duhet të shndërrohet në përparim konkret drejt Bashkimit Evropian.
“Unë besoj në të ardhmen evropiane të Kosovës, dhe atë qartazi, sepse e di sa thellësisht ndihen evropianë populli i Kosovës dhe ky është një themel mbi të cilin duhet të ndërtojmë.
Detyra jonë është që ta shndërrojmë këtë aspiratë në progres konkret drejt BE-së”, tha ajo.
01.10.2026 – 14:46
Von der Leyen: Aktgjykimi i Hagës duhet respektuar, askush s’mund ta rishkruajë historinë e Kosovës
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka thënë të enjten në Prishtinë se aktgjykimi dënues i gjykatës në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), duhet të respektohet, duke ngulur këmbë njëkohësisht se “askush dhe asgjë” nuk mund ta rishkruajë historinë e Kosovës.
Duke folur në një konferencë për media në Prishtinë pas takimeve me liderët e Kosovës, von der Leyen tha se aktgjykimi i 16 shtatorit për dënimin me burgim për krime lufte ndaj Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit, u dha nga një institucion i pavarur gjyqësor.
“Aktgjykimi i Dhomave të Specializuara ka shkaktuar emocione të fuqishme, e çmoj reagimin tuaj të matur dhe të liderëve politikë që bëjnë thirrje për qetësi.
Ky aktgjykim u dha nga një institucion i pavarur gjyqësor dhe mandati i tij duhet të respektohet”, tha ajo.
01.10.2026 – 14:45
Kurti pas takimit me von der Leyen: Aktgjykimi në Hagë ka gabime, presim korrigjimin e tyre në apel
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimit me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, është deklaruar edhe për aktgjykimin e fundit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.
Kurti ka shprehur shqetësime për disa prej konkludimeve dhe dënimeve të shqiptuara, ndërsa ka veçuar tri pika të aktgjykimit që, sipas tij, duhet të theksohen në arenën ndërkombëtare, transmeton “Bota sot”.
Kurti: Tri pika të aktgjykimit duhet të theksohen ndërkombëtarisht
Kurti ka përmendur pretendimet për të ashtuquajturën “Shtëpi të Verdhë”, rrëzimin e akuzave për krime kundër njerëzimit dhe sulme të gjera e sistematike ndaj popullsisë civile, si dhe qëndrimin e Dhomave të Specializuara se UÇK-ja nuk është në gjyq.
“Le të stopojmë pakëz, të doja të ndalem edhe tek aktgjykimi i fundit i Dhomave të Specializuara, të cilat qytetarët tanë po e ndjekin me shumë vëmendje. Në këtë aktgjykim janë tri pika që duhen theksuar ndërkombëtarisht”, ka deklaruar Kurti.
Sipas tij, pretendimet për të ashtuquajturën “Shtëpi të Verdhë” dhe trafikimin e organeve nuk kanë qenë pjesë e aktakuzës.
“E para, pretendimet për të ashtuquajturën «Shtëpi të Verdhë» dhe për trafikimin e organeve as nuk bëjnë pjesë e aktakuzës”, tha ai.
Kurti më pas iu referua akuzave për krime kundër njerëzimit dhe sulme të gjera e sistematike ndaj popullsisë civile.
“E dyta, akuzat për krime kundër njerëzimit dhe për sulme të gjera e sistematike kundër popullsisë civile u rrëzuan”, deklaroi kryeministri.
Ai theksoi edhe qëndrimin e Dhomave të Specializuara lidhur me UÇK-në.
“Dhe e treta, Dhomat e Specializuara theksuan qartë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk është në gjyq dhe se vendimi i tyre në asnjë mënyrë nuk synon të cenojë drejtësinë apo legjitimitetin e luftës çlirimtare”, u shpreh Kurti.
“Presim që gabimet të korrigjohen në apel”
Krahas këtyre vlerësimeve, Kurti tha se Qeveria e Kosovës ka shqetësime serioze lidhur me konkludime të tjera të aktgjykimit dhe dënimet e shqiptuara.
Ai tha se pret që këto çështje të trajtohen në procedurën e apelit.
“Në të njëjtën kohë, kemi shqetësime serioze për konkludime të tjera dhe për dënimet e rënda. Besojmë se ato përmbajnë gabime faktike, historike dhe juridike, dhe presim që këto të korrigjohen në apel. Drejtësia duhet të jetë e paanshme dhe duhet të shihet e përjetohet si e paanshme”, tha Kurti.
Kurti për viktimat e dhunës seksuale
Kryeministri foli edhe për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, duke theksuar se përgjegjësit për krimet duhet të përballen me drejtësinë.
“Rreth 20,000 njerëz janë viktima të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë dhe shumë kryerës nuk janë ndëshkuar. Kosova kërkon drejtësi për çdo viktimë, për çdo krim dhe për çdo kryerës”, deklaroi ai.
Kurti shtoi se, sipas tij, nuk duhet të krijohen narrativa që barazojnë përgjegjësinë për krimet.
“Dhe ne nuk mund të lejojmë barazimin e përgjegjësisë se fajësisë për shkak se dëshiron dikush të krijojë narrativa alternative”, tha kryeministri.
“Kosova e ka bërë pjesën e saj”
Në fund të deklarimit, Kurti e falënderoi presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, për vizitën në Kosovë.
Ai tha se Kosova është e gatshme të vazhdojë rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
“Presidente von der Leyen, ju falënderoj edhe një herë përzemërsisht që jeni këtu. Kosova e ka bërë pjesën e saj dhe ne jemi gati për hapin e radhës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, përfundoi Kurti.
01.10.2026 – 14:35
Kurti: Kërkova nga Von der Leyen anëtarësimin e Kosovës në organizata evropiane
Kryeministri Albin Kurti, në një konferencë të përbashkët me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e ka falënderuar të njëjtën për mbështetjen që ia ka dhënë Kosovës dhe qytetarëve të saj.
Ai tha se që nga takimi i fundit i kryetares së KE-së, Kurti tha se vendi ka shënuar përparim në shumë fusha.
“Përderisa në rajonin tonë të Evropës Juglindore ka autokraci elektorale, tek ne ka demokraci elektorale. Zgjedhjet tona janë të lira, dhe po ato duhet të mbahen një herë në katër vjet, e jo dy herë në një vit”, u shpreh Kurti.
Pos tjerash, gjatë kësaj konference, Kurti foli për të arriturat të tjera të Kosovës përgjatë vitit të fundit.
Ai shtoi se Kosova është në një linjë me vlerat e Bashkimit Evropian.
“Ne i mbrojmë vlerat e Nenit 2 të Traktatit për Bashkim Evropian, dhe mbështetja e qytetarëve tanë për anëtarësim në BE mbetet më e larta në rajon, menjëherë pas Shqipërisë”, tha Kurti.
Ai shtoi se gjatë takimit me presidenten e KE-së, i kërkoi anëtarësimin në Konventën për Transitin e përbashkët.
“I kërkova edhe integrimin e Kosovës në organizatat evropiane të standardizimit dhe në kornizën evropiane të akreditimit”, tha kryeministri.
01.10.2026 – 14:33
Nis konferenca e përbashkët e Kurtit dhe von der Leyen
Ka nisur konferenca e përbashkët për media e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Konferenca po mbahet pas takimit të tyre në Prishtinë, në kuadër të vizitës së von der Leyen në Kosovë.
Në fokus të vizitës janë rruga evropiane e Kosovës, procesi i integrimit dhe hapat e mëtejshëm në marrëdhëniet me Bashkimin Evropian, transmeton “Bota sot”.