“Historike”/ Presidentja e Komisionit Europian jep LAJMIN E MIRË për Shqipërinë dhe Ramën…

Kryeministri Edi Rama dhe Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, kanë mbajtur një konferencë të përbashkët për mediat, pas takimit me dyer të mbyllura në Kryeministri.

 

Në fokus të bisedimeve ka qenë ecuria e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, reformat e ndërmarra dhe hapat e mëtejshëm që pritet të ndërmerren në këtë proces.

Gjatë fjalës së tij, Rama theksoi vullnetin e Shqipërisë për të vijuar me ritëm procesin e integrimit, duke u shprehur se vendi është tashmë në një fazë të rëndësishme të negociatave. Kryeministri vuri në dukje edhe rëndësinë e Planit të Rritjes, ndërsa foli për përpjekjet në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

 

“Vullneti ynë për të çuar përpara procesin është i hekurt”, deklaroi Rama, duke theksuar synimin për të avancuar me mbylljen e kapitujve të negociatave dhe për të vijuar më tej me një ritëm intensiv.

“Përshëndetje të gjithëve, sapo kemi përfunduar një bashkëbisedim në pjesën e parë të vizitës së presidentes në Tiranë. Është gjithmonë një takim dhe privilegj i veçantë që ta presim presidenten këtu në Shqipëri, tanimë edhe në këtë tur tradicional të rajonit. Nuk e di ekzaktësisht arsyen se pse ky tur fillon gjithmonë nga Tirana, por dua të besoj që fillon nga A. Dhe besoj po ashtu që përsëri edhe këtë herë në vizitën në Tiranë të presidentes dhe të delegacionit të saj ka shumë përmbajtje pozitive në raport me të gjithë objektivat e përbashkëta që kemi. Ndërkohë që unë dua të konfirmoj edhe njëherë edhe publikisht në këtë rast vullnetin tonë të hekurt për të çuar përpara të gjitha punët e një procesi i cili tanimë ka hyrë në fazën e mbylljes së kapitujve. Përgatitemi për të filluar nga mbyllja e kapitujve shumë shpejt, para fundit të këtij viti dhe pastaj për të vazhduar vitin e ardhshëm intensivisht me një pjesë të konsiderueshme të kapitujve tanimë të hapur.

Dua të them se më vjen shumë mirë që edhe në një program të posaçëm të kësaj periudhe i cili është programi i planit të rritjes ne e kemi arritur të kapim disa objektiva jashtëzakonisht ambiciozë dhe siç thashë me siguri presidentja do ta prekë këtë temë pasi plani i rritjes është një nga risitë e mandatit të saj të dytë, një risi që për rajonin ka ardhur si një mbështetje shumë e madhe jo vetëm në aspektin financiar por edhe në aspektin e atij që quhet tanimë si një integrim gradual pa pritur që gjithçka të vijë në fund të procesit. Në fund fare dua të bëj me dije se jam informuar ku tanimë jemi në fazën që presim së shpejti studimin e thelluar mjedisor por ndërkohë duke e informuar lidhur me hapat që kemi hedhur në funksion të rritjes së konsiderueshme të transparencës me publikun shqiptar dhe me ndërveprimin e publikut përmes mjeteve të reja të teknologjisë, në ditët e ardhshme do të ndezim pasqyrën me pikërisht transparencën e plotë të të gjitha dokumenteve dhe të të gjithë procesit sa i përket diçkaje që është e shkruar e zeza mbi të bardha pikërisht për projektin e shumë diskutuar.

Në mbyllje dua të shtoj që kemi folur edhe për bilancin e përpjekjes madhore që Shqipëria po bën në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Dhe kemi bashkërisht konstatuar me kënaqësi faktin që tanimë është shumë e qartë për Shqipërinë që nëse deri dje korrupsioni ishte sistemit, sot sistemi po e lufton korrupsionin. Ursula, është kënaqësi e veçantë që sot je në Tiranë”, tha Rama.

Nga ana e saj, Ursula von der Leyen vlerësoi ecurinë e Shqipërisë në rrugën drejt Bashkimit Europian, duke e cilësuar progresin e bërë gjatë vitit të fundit si “të mrekullueshëm” dhe “fantastik”.

Presidentja e Komisionit Europian theksoi se Shqipëria është ndër vendet kryesuese në procesin e anëtarësimit, ndërsa nënvizoi se rrugëtimi europian kërkon vijimin e reformave, veçanërisht në drejtësi, kuadrin zgjedhor dhe mbrojtjen e mjedisit.

Von der Leyen u shpreh gjithashtu se anëtarësimi i Shqipërisë do të ishte një forcim jo vetëm për vendin, por edhe për vetë Bashkimin Europian, duke përcjellë mesazhin se perspektiva europiane e Shqipërisë mbetet e lidhur ngushtë me të ardhmen e përbashkët europiane.

“Është kënaqësi e madhe të jem në Tiranë dhe përvoja ime është e tillë që shqiptarët e mbajnë Evropën në zemër dhe është e mrekullueshme të kthehem në Tiranë. Ti dhe Shqipëria keni punuar fort që të bëni ëndrrën evropiane realitet. Shqipëria është ndër vendet kryesuese në procesin e anëtarësimit. Unë vij çdo vit për të parë ecurinë dhe meqenëse isha dhe vjet, që atëherë Shqipëria ka bërë një ecuri të mrekullueshme, fantastike. Ky është një përparim shumë i rëndësishëm pasi kjo do të thotë që Shqipëria është e përafruar me politikën tonë. Ne e shohim botën me të njëjtin sy, ne qëndrojmë krah për krah. Prandaj dëshiroj që t’ju përcjell jo vetëm qytetarëve shqiptarë por dhe të Bashkimit Evropian anëtarësimi i Shqipërisë nuk do të bëjë vetëm Shqipërinë më të fortë por edhe Bashkimin Evropian. Ka ende shumë punë për të bërë. Nevojiten reforma të mëtejshme, drejtësi, kuadri zgjedhor, mbrojtja e mjedisit që është natyra mahnitëse e Shqipërisë. Këto reforma duhet të plotësohen të gjitha. Kjo kërkon angazhim përtej ndasive politike dhe dialog me shoqërinë për t’iu përgjigjur të gjitha shqetësimeve të shoqërisë. Mesazhi i tretë ka të bëjë me planin e rritjes. Dëshiroj të them parimet e planit të rritjes që ne sjellim investime të BE-së dhe ju përgatiteni për t’u bërë pjesë. Ne hapim disa pjesë të tregut të përbashkët dhe në të njëjtën kohë ju ndërmerrni reformat që ju nevojiten që kompanitë tuaja të jenë konkurruese dhe të kenë sukses në tregjet tona”, tha Ursula von der Leyen.