Thaçi nuk u dënua për luftën kundër Serbisë

Nga xhevdet Mazrekaj Ta themi qartë, sepse dikush po përpiqet qëllimisht t’i ngatërrojë faktet: Hashim Thaçi nuk u dënua për luftën kundër Serbisë, për ndonjë betejë kundër ushtrisë dhe policisë serbe apo për kontributin në çlirimin e Kosovës.

 

Pyetja nuk është nëse UÇK-ja luftoi për liri — po, luftoi. Pyetja është se për çfarë u dënua Thaçi: për luftën kundër forcave serbe, apo për krimet ndaj kundërshtarëve politikë dhe shqiptarëve që mendonin ndryshe?

Sipas aktgjykimit të shkallës së parë, Thaçi u shpall fajtor për përgjegjësi individuale në vrasje, torturim, trajtim mizor dhe ndalim arbitrar të kundërshtarëve politikë dhe personave të etiketuar si “spiunë” ose “tradhtarë”.

 

Mes viktimave dhe personave të shënjestruar kishte shumë shqiptarë, përfshirë veprimtarë, anëtarë dhe mbështetës të LDK-së, si dhe përkrahës të vijës politike të Ibrahim Rugovës. Ata nuk ishin armiq të Kosovës. Ishin njerëz që kishin bindje tjetër politike dhe që nuk pranonin t’i nënshtroheshin një grupi që synonte ta merrte pushtetin.

Nuk duhet harruar se, në prag të luftës, LDK-ja përfaqësonte pjesën më të madhe të organizimit politik shqiptar në Kosovë. Populli që e mbështeste vijën politike të Ibrahim Rugovës ishte po ai popull që e përballoi pushtimin serb, e mbështeti rezistencën dhe nga radhët e të cilit dolën edhe shumë luftëtarë të UÇK-së.

Prandaj, veprimtarët dhe mbështetësit e LDK-së nuk mund të paraqiteshin si armiq të luftës vetëm pse mendonin ndryshe politikisht. Luftën nuk e bëri një parti apo një grup i vetëm; atë e bëri populli i Kosovës.

Pikërisht këtu qëndron e vërteta që sot po përpiqen ta mbulojnë me emrin e UÇK-së: krimet për të cilat u shqiptua dënimi nuk ishin beteja kundër forcave serbe, por vepra ndaj kundërshtarëve politikë dhe personave të konsideruar bashkëpunëtorë.

Edhe kryetari i trupit gjykues, Charles Smith, e bëri të qartë se në gjyq nuk ishte legjitimiteti i UÇK-së dhe as lufta e saj çlirimtare. Në gjyq ishte përgjegjësia individuale e katër ish-drejtuesve.

Prandaj, pretendimi se “u dënua UÇK-ja” nuk është vetëm i pasaktë. Ai është edhe një përpjekje për t’i barazuar mijëra luftëtarë të ndershëm me veprimet e katër individëve. Kjo nuk e mbron UÇK-në, por e dëmton atë.

Hashim Thaçi e mohon përgjegjësinë dhe ka të drejtë ta kundërshtojë aktgjykimin në apel. Nëse Gjykata ka gabuar, mbrojtja duhet ta dëshmojë këtë me prova dhe argumente juridike.

Një gjykatë penale përcakton përgjegjësinë individuale. Askush s’ka të drejtë ta përdorë atë vendim për të rishkruar historinë e një populli të tërë.

Të mbrosh UÇK-në do të thotë të mos lejosh që emri dhe sakrifica e saj të përvetësohen nga askush. Lufta e Kosovës ishte shumë më e madhe se Hashim Thaçi dhe çdo individ tjetër.