Skandal tjetër – Specialja merr një vendim të turpshëm

Në dokumentet publike më të fundit të paraqitura pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, përfaqësuesi i viktimave ka prezantuar argumente tronditëse mbi gjendjen e sistemit ligjor në Kosovë, me qëllim që procedura e dëmshpërblimit për viktimat të mos transferohet në gjykatat civile të Kosovës, por të vendoset e të ekzekutohet direkt nga vetë Gjykata Speciale.

 

Sipas parashtresës zyrtare të dorëzuar në kuadër të rastit ndaj ish-krerëve të UÇK-së (KSC-BC-2020-06), përfaqësuesi i viktimave u është referuar gjetjeve të ekspertëve ku renditen një varg e metash serioze me të cilat përballet sistemi i drejtësisë në Kosovë. Në veçanti, në paragrafin 18 të këtij dokumenti, theksohet ekzistenca e mundshme e një niveli të caktuar korrupsioni dhe ndërhyrjeje brenda sistemit ligjor të Kosovës, si dhe mungesa e strukturave efikase të llogaridhënies për gjyqësorin, raporton Gazeta Insajderi.

 

“Ekzistenca e mundshme e një niveli të caktuar korrupsioni dhe ndërhyrjeje brenda sistemit ligjor të Kosovës dhe mungesa e strukturave efikase të llogaridhënies për gjyqësorin; (ii) kohëzgjatja e procedurave civile; (iii) problemet e mundshme lidhur me ekzekutimin e vendimeve të gjykatave të Kosovës kundër pasurive që ndodhen në territorin e një vendi që nuk ka marrëveshje për bashkëpunim gjyqësor apo lidhje diplomatike me Kosovën; (iv) fakti se fondet ekzistuese për ofrimin e ndihmës juridike mund të mos kenë burime të mjaftueshme për të garantuar ofrimin e vazhdueshëm të ndihmës juridike; dhe (v) pasiguria lidhur me zbatimin e afateve të parashkrimit, nëse ka të tilla, për pretendimet civile të ngritura nga viktimat e krimeve të luftës”, thuhet në referencën ku arsyetohet pse të hollat duhet të ekzekutohen direkt në Gjykatën e Hagës.