Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik, duke komentuar zhvillimet pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ka thënë se, praktikisht, institucionet përkatëse pas zgjedhjeve duhet të zgjidhen dhe formohen brenda një kornize prej rreth 90 ditësh pas certifikimit të rezultateve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
“Praktikisht, Gjykata Kushtetuese paska thënë se pas zgjedhjeve, institucionet përkatëse duhet të zgjedhen dhe formohen brenda një kornize ~90 ditëshe pas certifikimit të rezultateve nga KQZ-ja.”
Sipas Cakollit, një interpretim i tillë, ndonëse e relativizon shkeljen e afatit 30-ditor për konstituimin e Kuvendit, njëkohësisht pengon zvarritjen e pakontrolluar të procesit të formimit të institucioneve.
“Kjo, ndonëse e relativizon shkeljen e afatit 30-ditor për konstituimin, e pamundëson zvarritjen e pakontrolluar të formimit të institucioneve përmes moskonstituimit të Kuvendit, duke përcaktuar si pasojë fillimin e rrjedhjes së afateve tjera kushtetuese.”
Cakolli ka ngritur edhe një çështje që, sipas tij, mbetet e diskutueshme dhe e patrajtuar nga Gjykata Kushtetuese. Ajo lidhet me përcaktimin e datës së zgjedhjeve të reja në rast se nuk arrihet zgjedhja e Presidentit.
“Në rastin aktual, çështja e diskutueshme dhe e patrajtuar nga Gjykata Kushtetuese mbetet se, sot dy javë (7 tetor), kush do ta caktojë 8 ose 15 nëntorin si datë të zgjedhjeve të reja, nëse eventualisht nuk arrihet të zgjedhet suksesshëm Presidenti?”