Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar ndaj aktgjykimit të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Gjatë një takimi me komunitetin shqiptar në Michigan, Rama tha se e kishte pasur të vështirë të gjente fjalët për vendimin.
“Si rrallëherë jam përpëlitur për fjalim, sepse nuk kisha si e shmangia atë që ndodhi në Hagë para disa ditësh, por nuk gjeja rrugën si t’i qasësha atij burri të madh, të rëndë, përballë të cilit, për hir të së vërtetës, fjalët duken të kota si në një mort”, u shpreh Rama.
Ai e përshkroi situatën si “një mort për së gjalli” dhe “një varrosje të njerëzve të gjallë”, ndërsa foli për atë që e cilësoi si “pafuqi kombëtare përballë një marre ndërkombëtare”.
Rama tha se vendimet e gjykatave duhet të respektohen në një shoqëri demokratike, por se kjo nuk përjashton kundërshtimin e pasojave të tyre.
“Ka një fjalë që e përsërisim shpesh: ‘Respektoni vendimin e gjykatës’. Kjo duhet respektuar, kështu funksionon bota demokratike. Nuk diskutojmë këtë, jo vendimin e gjykatës, por edhe vetë vdekjen e pranon vetëm ai që vdes”, tha ai.
Sipas tij, Shqipëria mund t’i qëndrojë në krah Kosovës dhe përfaqësuesit e saj do ta kundërshtojnë atë që ai e quajti “varrosje për së gjalli”.
“Shqipëria, në këtë mes, nuk mund të bëjë asgjë më shumë sesa t’i rrijë në krah Kosovës, por sidoqoftë, të zgjedhurit e popullit të saj do të refuzojnë varrosjen për së gjalli të atyre katër burrave”, tha Rama.
Në fund, ai iu referua edhe mundësisë së apelimit të aktgjykimit.
“Unë besoj se ai vendim nuk e pengon refuzimin e asaj varrosjeje si fatalitet pa apel”, tha Rama.