Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerta Deliu, ka kritikuar ministren e Drejtësisë, Donika Gërvalla, për heshtjen e saj pas aktgjykimit dënues të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.Deliu ka deklaruar se Kosova është tronditur nga vendimi i Speciales, ndërsa ka vënë në pikëpyetje mungesën e një reagimi publik nga ministrja Gërvalla.
Deputetja e PDK-së e ka kritikuar Gërvallën edhe për qëndrimet e saj të mëparshme ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, duke thënë se ajo për vite me radhë i ka sulmuar publikisht.
“I godite me akuzat më monstruoze, i sulmove me gjuhën më të ulët dhe rreth vetes mblodhe njerëz që mendojnë si ti e që sot mezi po e fshehin gëzimin për dënimin e tyre. E tani, çuditërisht, nuk e paske asnjë fjalë! Ti që nuk lë vendim të drejtësisë pa komentuar. Ti që nuk lë kundërshtar politik pa sharë e fyer. Ti që për UÇK-në ke pasur gjithmonë akuza”, ka shkruar Deliu.
Sipas saj, pikërisht në momentin kur ish-krerët e UÇK-së u dënuan me vendime që ajo i cilëson si “drakonike”, ministrja e Drejtësisë nuk pati asnjë reagim publik.“Për t’i akuzuar të mjaftoi zëri; për ta kundërshtuar padrejtësinë nuk të mjaftoi as posti! Donikë, dil para qytetarëve dhe përgjigju: a të shqetëson ky aktgjykim, apo heshtja jote është miratimi që nuk guxon ta shqiptosh publikisht? Ti përfaqëson drejtësinë e Republikës së Kosovës, Republikës së lindur nga lufta e UÇK-së. Kosovës nuk i ke borxh heshtje. I ke borxh përgjigje! Heshtja nuk të mbrojti. Nuk të fshehu. Të demaskoi!”, ka thënë Deliu.