Deputeti i PDK’së propozon “Koalicionin e Normalitetit” mes VV-së, PDK-së dhe komuniteteve joshumicë

Deputeti i PDK-së, Rrustem Mustafa, ka propozuar një platformë politike për zhbllokimin institucional të vendit, duke bërë thirrje për marrëveshje ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje, Partisë Demokratike të Kosovës dhe komuniteteve joshumicë.


Mustafa ka shkruar në Facebook se, vendi nuk ka nevojë për kriza të reja politike, por për një marrëveshje që i kthen institucionet në funksion.

 

Ai ka propozuar atë që e quan “Koalicion për Normalitet”, si pjesë të një “Pakti për Shtetin”. Sipas Mustafës, kjo marrëveshje duhet të ndërtohet mbi legjitimitetin e LVV-së si forca e parë parlamentare, balancën institucionale përmes rolit të PDK-së dhe përfaqësimin kushtetues të komuniteteve joshumicë.

Sipas tij, LVV-së duhet t’i njihet roli udhëheqës në institucione, ndërsa PDK-ja duhet të marrë përgjegjësi për kontroll demokratik, balancë institucionale dhe orientim euroatlantik. Në kuadër të këtij ekuilibri, Mustafa ka propozuar që PDK-ja të udhëheqë me Presidencën, transmeton KosovaPress.

“Kosova nuk ka nevojë për trazira të reja politike, e as për kriza që nesër do të përdoren si justifikim për pranimin e një realiteti që mund ta ndryshojmë sot. Kuvendi mbetet i bllokuar dhe qytetarët nuk mund të presin më. Thirrja ime për kapërcimin e inateve politike mund të shndërrohet në zgjidhje konkrete shtetërore. Zgjidhja ekziston në vullnetin politik të shumicës parlamentare të përbërë nga Lëvizja Vetëvendosje, Partia Demokratike e Kosovës dhe komunitetet joshumicë. Kjo formon bazën e një Pakti për Shtetin, të ndërtuar mbi tri shtylla kryesore: Shtylla e Legjitimitetit: Si forca e parë parlamentare, LVV-së i njihet roli udhëheqës në institucione dhe përgjegjësia kryesore në drejtimin e Qeverisë dhe Kuvendit, duke respektuar vullnetin e qytetarëve”, shkruan Mustata.

Mustafa ka kërkuar që institucionet e Kosovës të ndërtojnë bashkëpunim të qëndrueshëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-n, si garanci për sigurinë kombëtare. Ai ka përmendur edhe nevojën për përafrim me Shqipërinë dhe shqiptarët në rajon, si dhe për mbrojtjen e vlerave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Deputeti i është drejtuar edhe kryetarit të LVV-së, Albin Kurti, duke thënë se çelësi për hapjen e kësaj tryeze është në duart e tij.

“Si udhëheqës i forcës më të madhe parlamentare, ke përgjegjësinë për ta hapur këtë tryezë. Ky propozim njeh legjitimitetin tuaj, por kërkon balancë dhe garanci për shtetin”, ka thënë Mustafa.

Ai ka shtuar se beson që PDK-ja është e gatshme ta marrë pjesën e saj të përgjegjësisë.

Mustafa ka vlerësuar se Kosova ka nevojë për marrëveshje politike, përgjegjësi dhe vullnet për ndërtimin e një shteti normal. Sipas tij, vendit i duhet mundësia për të ecur përpara dhe jo një krizë tjetër.

Sot, PDK ka dërguar në Kushtetuese procesin e konstituimit të Kuvendit.