“NUK E JAP KOSOVËN VEÇ SHQIPTARËVE” – fjalët e deputetes Duda Balje kanë marrë përgjigje nga Amina Nuraj.
“Kush je ti që vendos se kujt i takon Kosova? A mendon se Kosova është pronë private që mund ta ndash e ta shpërndash sipas dëshirës tënde? Kush je ti me blloku shtetin dhe me u sjellë sikur Kosova është pronë e jotja?”, ka shkruar ajo.Postimi i plotë:
“NUK E JAP KOSOVËN VEÇ SHQIPTARËVE” – fjalët e deputetes Duda Balje.
E tash po të pyes unë, Duda: kush je ti që vendos se kujt i takon Kosova? A po mendon se Kosova është pronë private, që ti mund ta ndash e ta shpërndash sipas dëshirës tënde?
Kush je ti me vendos se kush duhet të ketë vend në këtë shtet? Kush je ti me uzurpu një ulëse të deputetes, kur në mesin e shqiptarëve dhe të boshnjakëve ka djem e vajza të reja, të shkolluar, të aftë e shumë më të përgatitur, që do ta përfaqësonin Kosovën me dinjitet?
E ti që e ke shitur veten për vite si “patriote e madhe”, duke dalë në protesta për krerët e UÇK-së, sot del me deklarata që lëndojnë pikërisht ata shqiptarë për të cilët pretendon se ke luftuar. Patriotizmi nuk matet me fjalë e me kamera, por me atë se çfarë qëndrimi mban kur je përballë interesit të popullit tënd.
Kush je ti me blloku shtetin? Kush të ka dhënë ty të drejtën të sillesh sikur Kosova është pronë e jotja?
Kosova është shtet i qytetarëve të saj, por shqiptarët e Kosovës janë aty në tokën e tyre, me histori, me gjak, me sakrificë dhe me të drejtën për ta mbrojtur identitetin e tyre kombëtar. Askush nuk mund t’ua mohojë këtë.
Dhe një gjë ta them shumë qartë: shqiptarët nuk do të zhduken, nuk do të heshtin dhe nuk do të dorëzohen. Përkundrazi, do të jemi edhe më të fortë, edhe më të organizuar dhe edhe më të zëshëm.
Mund të mos të pëlqejë kjo, Duda, por Kosova nuk është pronë e askujt. As e jotja, as e imja. Por askush nuk ka të drejtë ta përdorë politikën për ta poshtëruar popullin shqiptar në tokën e vet.
Historia nuk shkruhet me deklarata të momentit. Historia shkruhet me qëndrim, sakrificë dhe përgjegjësi.