Albulena Haxhiu reagon pas votimeve në Kuvend – Ja kur e votojmë kandidatin e PDK-së

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se Kuvendi i Republikës së Kosovës është konstituuar, ndërsa ka thënë se tashmë i është hapur rruga fazës së ardhshme, formimit të Qeverisë.

 

Në një reagim pas përfundimit të seancës konstituive, Haxhiu ka uruar nënkryetarët e zgjedhur dhe ka falënderuar deputetët që morën pjesë në seancë dhe votuan.

“Sot u konstituua Kuvendi i Republikës së Kosovës, duke i hapur rrugë hapit të radhës, formimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës”, ka shkruar Haxhiu.

 

Ajo është deklaruar edhe për pozitën e nënkryetarit që i takon Partisë Demokratike të Kosovës, e cila vazhdon të mbetet e paplotësuar.

Sipas Haxhiut, përfaqësuesit e PDK-së për tri herë radhazi nuk kanë qenë të pranishëm në seancën konstituive dhe, rrjedhimisht, nuk e kanë ushtruar të drejtën për të propozuar kandidatin e tyre.

“Sapo PDK-ja ta propozojë kandidatin e saj, Kuvendi do të votojë për të”, ka shkruar Haxhiu.