Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka bërë të ditur se rreth 3 milionë euro janë duke u investuar në masa të efiçiencës së energjisë, projekt nga i cili pritet të përfitojnë mbi 1,400 qytetarë në Kosovë.
Kurti ka njoftuar se deri më tan në kuadër të këtij projekti, janë rinovuar 51 shtëpi të familjeve të cenueshme, me një investim prej rreth 610 mijë eurosh.
Postimi i plotë:
3 milionë euro është investimi që do të prekë mbi 1400 qytetarë të vendit tonë, përmes masave të efiçiencës në energji. Deri më tani, në kuadër të këtij projekti janë rinovuar 51 shtëpi të cenueshme me rreth 610 mijë euro investim, njëra nga to është edhe ajo e familjes Dragidella në Prishtinë, e cila nga mbi 85 MWh energji të konsumuara në vit, pas renovimit, pritet të kursejë rreth 74% të energjisë.
Deri në fund të këtij viti, do t’i përkrahim 192 familje duke ua rinovuar shtëpitë dhe deri në vitin 2028 ky numër do të arrijë në 280 familje në mbarë Kosovën. Familjet që do të përfitojnë janë ato me asistencë sociale, por duke u dhënë përparësi të veçantë familjeve me pensionistë, personave me aftësi të kufizuara dhe prindërve vetushqyes.
Falënderim i veçantë për Qeverinë e Danimarkës, UNDP-në, Ministrinë e Ekonomisë dhe Fondin e Kosovës për Efiçiencë të Energjisë për mbështetjen dhe angazhimin në realizimin e këtij projekti.