Detaje të reja janë zbardhur nga aksidenti tragjik i ndodhur pasditen e së dielës, 12 korrik, në Bezzecca, në provincën e Trentos, ku humbi jetën një 42-vjeçar me origjinë shqiptare.
Viktima është identifikuar si Renis Domi, prej kohësh banues në Concesio. Ai po udhëtonte me një motor Yamaha R1 në zonën e Val di Ledro, kur u përplas frontalisht me një automjet Renault Clio, që drejtohej nga një 67-vjeçare nga Bezzecca.
Sipas mediave italiane, makina ishte duke kryer një manovër kthimi në momentin kur ndodhi përplasja e fortë. Goditja rezultoi fatale për shqiptarin, i cili ndërroi jetë në vendngjarje.
I ndjeri u përball me goditje fatale duke u zhvendosur gjatë aksidentit, 40 metra nga vendngjarja.
Pak metra pas tij, rreth 100 metra larg, udhëtonte edhe partnerja e tij, po ashtu me motor, e cila u përball me skenën e rëndë pas aksidentit.
Drejtuesja e Renault Clio u transportua në spitalin e Trentos në gjendje të rëndë. Në vendngjarje ndërhyri Policia Rrugore, e cila kreu veprimet për zbardhjen e plotë të dinamikës së aksidentit.