Hykmete Bajrami i thotë “PO” koalicionit me LVV-në, por me këtë kusht

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka bërë të ditur se nuk do ta përjashtonte mundësinë për ta votuar një Qeveri të udhëhequr nga Albin Kurti, por vetëm nëse plotësohen disa kushte.

 

Duke folur në emisionin “Rubikon” të Klan Kosovës, Bajrami tha se do ta mbështeste një qeveri të tillë nëse LDK-ja do të arrinte një marrëveshje që i garanton së paku një të tretën e pushtetit, si dhe njërën nga dy pozitat më të larta shtetërore – presidentin ose kryeministrin.

 

“Në qoftë se LDK do të arrinte të ketë një marrëveshje të mirë, ku LDK ka së paku 1/3 të pushtetit dhe ka njërën nga pozitat, unë do të votoja për”, deklaroi Bajrami në “Rubikon”.

Megjithatë, ajo tha se vendimi nuk do të merrej vetëm mbi bazën e marrëveshjes politike, pasi do të shqyrtonte edhe përbërjen e kabinetit qeveritar.

Bajrami gjithashtu e bëri të qartë se, pavarësisht një marrëveshjeje të mundshme mes LDK-së dhe Kurtit, ajo personalisht nuk do të pranonte një post ministror në Qeverinë e tij.

“Natyrisht se do ta analizoja strukturën e kabinetit, mirëpo asnjëherë nuk do të pranoja që të jem unë ministre e Kurtit. As nuk do të pranoj në të ardhmen”, u shpreh ajo në Klan Kosova.