E tha LIVE, Hykmete Bajrami tregon se pse i tha JO Bekim Sejdiut VIDEO

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka treguar arsyet pse nuk e ka mbështetur kandidaturën e Bekim Sejdiut për president të Kosovës.

 

Bajrami tha se nuk ka pasur vërejtje për profesionalizmin apo CV-në e Sejdiut, por se profili i tij institucional nuk e ka bindur se ai do të mund ta garantonte balancën mes pushteteve gjatë një mandati pesëvjeçar.

“Unë personalisht nuk kam pasur asgjë me kandidatin. Profili i tij institucional nuk më ka bindur që zotëria mund ta bëjë balancën e pushtetit”, tha Bajrami në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova.

 

Ajo theksoi se, kur bëhet fjalë për zgjedhjen e presidentit për një mandat pesëvjeçar, duhet të merret parasysh edhe profili institucional i kandidatit.

Bajrami kritikoi gjithashtu mungesën e deklarimeve publike të Sejdiut lidhur me situatën kushtetuese në vend.

“Kur jap votën për president për 5 vjet, kur e mundësoj një mandat pesëvjeçar, unë shikoj edhe profilin institucional. Kurrë nuk kam dëgjuar një deklaratë të zotërisë, ai pranon që të jetë kandidat për president dhe gjysma e shoqërisë është e bindur që ne jemi në shkelje të Kushtetutës së Kosovës. Na nuk e kemi parë edhe një deklaratë të tij lidhur me këtë situatë”, tha Bajrami.