Haziri zbulon prapaskenat: “Abdixhiku e dinte se Bekim Sejdiu nuk i kishte votat e LDK-së për President”
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka bërë deklarata të forta lidhur me kandidaturën e Bekim Sejdiut për President të Kosovës.
Në një intervistë ekskluzive në VOX Kosova, me gazetarin Lirim Mehmetaj, Haziri ka thënë se Lumir Abdixhiku e dinte se Sejdiu nuk e kishte mbështetjen e nevojshme brenda grupit parlamentar të LDK-së, madje edhe në momentin kur kandidatura e tij u prezantua publikisht.
“Lumir Abdixhiku e dinte se Bekim Sejdiu nuk i ka votat e LDK-së për President edhe në momentin që po e prezantonte në konferencë”, ka deklaruar Haziri.
Sipas tij, çështja bëhet edhe më e ndërlikuar për faktin se Bekim Sejdiu nuk ishte vetëm kandidat i LDK-së, por ishte rezultat i një marrëveshjeje politike mes LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje.
Më 31 gusht, Abdixhiku dhe Albin Kurti e prezantuan Sejdiun si kandidat të përbashkët për postin e Presidentit, pas negociatave mes dy subjekteve politike.
Deklaratat e Hazirit vijnë në një moment kur brenda LDK-së është shfaqur përçarje e hapur rreth kandidaturës së Sejdiut. Gjashtë deputetë të LDK-së kanë deklaruar se nuk do ta votojnë atë, duke pamundësuar sigurimin e mbështetjes së plotë parlamentare për zgjedhjen e Presidentit.
Kështu, intervista e Hazirit hedh dritë mbi atë se sa e hershme ishte përplasja brenda LDK-së dhe nëse drejtuesit e partisë e dinin paraprakisht se kandidatura e përbashkët me Vetëvendosjen mund të përballej me mungesë votash.