Në hyrje të fshatit Negroc është vendosur një billboard me një mesazh kushtuar Jakup Krasniqit dhe ish-krerëve të tjerë të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
“NEGROCI JU PRET!”, është mesazhi që banorët kanë zgjedhur ta vendosin në hyrje të vendlindjes së Jakup Krasniqit.
Ky mesazh vjen në kohën kur kanë mbetur edhe 10 ditë deri më 16 shtator, datë që po pritet me shumë interes nga familjarët dhe mbështetësit e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Banorët e Negrocit shpresojnë që Jakup Krasniqi të kthehet në vendlindje faqebardhë dhe me kokën lart.
Aktivitete dhe mesazhe të ngjashme janë organizuar ditëve të fundit edhe në vende të tjera të Kosovës dhe në diasporë, në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së.
Në Negroc, megjithatë, mesazhi ka një peshë të veçantë: është vendlindja që pret birin e saj.
“Negroci ju pret!”