Mesazh i fuqishëm nga Haga, Thaçi ka një kërkesë për Kurtin dhe opozitën

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka bërë thirrje për një marrëveshje të gjerë politike mes pozitës dhe opozitës, duke kërkuar që partitë të lënë mënjanë dallimet për çështjet strategjike të shtetit.

 

Në intervistën e tij për “Debat Plus” nga Haga, Thaçi ka kërkuar që spektri politik në Kosovë të ulet në një tryezë dhe të arrijë pajtim për disa prej temave më të rëndësishme për të ardhmen e vendit.

Pyetjet për intervistën i janë dërguar ish-presidentit më 9 mars të këtij viti, ndërsa përgjigjet thuhet se janë finalizuar më 29 korrik.

Thaçi ka vlerësuar se Kosova ka nevojë për zotime të përbashkëta ndërmjet pozitës dhe opozitës, pavarësisht dallimeve që partitë mund të kenë në politikën e përditshme.

Në mesin e prioriteteve, ai ka renditur sigurinë nacionale, reformat demokratike, reformën elektorale, politikën e jashtme, marrëveshjet ndërkombëtare dhe investimet në mbrojtje.

“Mendoj se politika kosovare, pozitë dhe opozitë, duhet të ulet në një tryezë, të diskutojë dhe të pajtohet rreth disa zotimeve të përbashkëta: sigurisë nacionale, reformave demokratike, reformës elektorale (zgjedhja e presidentit drejtpërdrejt nga populli, si mundësi për evitimin e krizave institucionale), politikës së jashtme, marrëveshjeve ndërkombëtare, investimeve në mbrojtje, integrimit në NATO dhe BE, raporteve speciale me ShBA-në, pastaj me Shqipërinë dhe eventualisht dialogut me Serbinë, etj”, ka thënë Thaçi.

Një prej pikave që bie në sy në deklaratën e ish-presidentit është propozimi që presidenti i Kosovës të zgjidhet drejtpërdrejt nga qytetarët.

Sipas Thaçit, kjo mund të shqyrtohet në kuadër të reformës elektorale si një mundësi për të shmangur krizat institucionale që mund të krijohen gjatë procesit të zgjedhjes së presidentit në Kuvend.

Ai ka kërkuar gjithashtu konsensus politik për orientimin ndërkombëtar të Kosovës, duke veçuar integrimin në NATO dhe Bashkimin Evropian.

Një rëndësi të veçantë Thaçi ua ka dhënë marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke kërkuar ruajtjen e raporteve speciale me SHBA-në.

Në listën e çështjeve për të cilat kërkon koordinim politik, Thaçi ka përfshirë edhe raportet me Shqipërinë dhe eventualisht dialogun me Serbinë.

Deklarata e ish-presidentit vjen në një periudhë kur skena politike kosovare vazhdon të përballet me ngërç institucional dhe diskutime për gjetjen e një marrëveshjeje politike.

Mesazhi i Thaçit nga Haga është që, përtej përplasjeve partiake, pozita dhe opozita të ulen së bashku dhe të përcaktojnë disa interesa shtetërore për të cilat duhet të ekzistojë konsensus politik.

Sipas tij, një marrëveshje e tillë duhet të përfshijë çështjet që lidhen me sigurinë, demokracinë, mbrojtjen, politikën e jashtme dhe orientimin euroatlantik të Kosovës.