Aktivisti dhe analisti Rron Gjinovci ka bërë një deklaratë të fortë lidhur me zhvillimet politike në Kosovë, figurat që kanë qenë pjesë e institucioneve pas luftës dhe rolin e NATO-s në çlirimin e vendit.
Gjinovci ka deklaruar se gjatë 27 viteve të pasluftës, sipas tij, eksponentë të UÇK-së kanë mbajtur pozita të ndryshme shtetërore, përfshirë poste të kryeministrave, ministrave dhe presidentëve.
Ai ka ngritur gjithashtu pretendime lidhur me pasuritë dhe bizneset e disa prej këtyre figurave, duke thënë se ato janë krijuar në emër të “çlirimit”.
“27 vjet kryeministra e ministra e presidentë e lloj-lloj funksionesh kanë pasë edhe eksponentat e UÇK-së, ama siç e dini kanë qenë po ashtu pak të zanun me patundshmëri dhe biznese”, ka deklaruar Gjinovci.
Më tej, ai ka theksuar se gjeneratat e reja, sipas tij, nuk duhet ta harrojnë rolin e NATO-s në luftën e Kosovës.
“Mos të habitet najkush, sidomos gjeneratat e reja, Kosovën e ka çliru NATO”, është shprehur ai.
Në të njëjtën deklaratë, Gjinovci ka përmendur edhe Urën e Ibrit, e cila për vite me radhë ka qenë një prej simboleve më të ndjeshme të ndarjes dhe tensioneve në veri të Kosovës.
Sipas tij, fakti që ura ka mbetur e mbyllur për një periudhë të gjatë ka qenë simbol i kontrollit të Serbisë në veri.
Deklarata e Gjinovcit pritet të nxisë reagime të shumta në opinionin publik, veçanërisht për shkak të qëndrimeve të tij mbi rolin e UÇK-së, pasluftën dhe ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë.