“Ende s’kemi pa asgjë çka kemi me pa”, çka po paralajmëron ish deputeti i Vetevendosjes

Ish-zëvendëskryeministri i Kosovës, Haki Abazi, ka lëshuar kritika të ashpra ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, duke e akuzuar se po krijon përçarje në shoqëri dhe po e çon vendin drejt një përplasjeje më të madhe politike.

 

Në emisionin “DPT te Fidani” në Klan Kosova, Abazi tha se Kosova ende nuk e ka parë pasojën e plotë të asaj që, sipas tij, është instaluar si një mendësi e re politike.

“Unë mendoj që hala s’kemi parë çka ka me ndodhë me këtë vend nëse lejohet krejt kjo mendësi politike e cila është instaluar si ide e shpresës se çka është ka bënë me fuqinë politike elektorale”, deklaroi Abazi.

Sipas tij, konfrontimi politik që, siç pretendon ai, po kërkohet nga Albin Kurti nuk është i rastësishëm, por pjesë e një strategjie më të gjerë.

 

“Konfrontimi të cilin po e kërkon zotëri Kurti është në përgatitje, është gjella e tij për një përplasje më të madhe, sepse përçarja e ka një qëllim. Përçarja nuk është qëllim në vetvete”, u shpreh ai.

Abazi pretendoi se gjatë viteve të fundit janë krijuar ndarje në disa nivele të shoqërisë.

“Përçarja që është futur në popull brenda në Kosovë, përçarja me diasporën, përçarja me shqiptarët e Maqedonisë, përçarja me Qeverinë e Shqipërisë, e ka qëllimin e vet”, deklaroi ish-zëvendëskryeministri.

Ai kritikoi edhe mënyrën se si, sipas tij, kanë funksionuar institucionet shtetërore gjatë qeverisjes së Kurtit.

“Unë e kam thënë në mënyrë të vazhdueshme prej momentit të parë kur e kam parë që realisht gjithë jeta institucionale, strukturat institucionale janë vnuar në shërbim të një axhende të cilën Kurti e ka mbajtur të mbyllur për vete”, tha Abazi.

Sipas tij, institucionet nuk janë përdorur për të forcuar funksionimin e shtetit, por për realizimin e një axhende politike.

“E kam parë që këtu nuk ka realisht funksionim, nuk ka qëllim për me funksionuar shteti”, shtoi ai.

Deklaratat e Haki Abazit vijnë në një periudhë tensionesh të shtuara politike, ndërsa vendi vazhdon të përballet me ngërç institucional për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e institucioneve të reja. Deri më tani nuk ka pasur reagim nga Lëvizja Vetëvendosje apo kryeministri në detyrë, Albin Kurti, lidhur me këto deklarata.