Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka bërë thirrje për intensifikimin e dialogut ndërmjet partive politike, duke theksuar se vetëm përmes takimeve dhe arritjes së një marrëveshjeje mund të tejkalohet ngërçi institucional dhe të zgjidhet çështja e presidentit të ardhshëm të vendit.
Në një deklaratë për media, Haxhiu komentoi edhe vendimin e kryesuesit të seancës konstituive të Kuvendit, Avni Dehari, i cili ka vlerësuar se në rrethanat aktuale politike duhet t’i jepet përparësi arritjes së një marrëveshjeje politike.
Sipas saj, Rregullorja e Kuvendit ia njeh të drejtën kryesuesit të seancës konstituive që të caktojë vazhdimin e saj, ndërsa vendimi i Deharit është ndikuar nga zhvillimet dhe tensionet politike të ditëve të fundit.
“E keni parë qëndrimin e kryesuesit të seancës konstituive, z. Avni Dehari. Siç e dini, Rregullorja e Kuvendit i jep të drejtën kryesuesit të seancës konstituive që ta thërrasë seancën. Për shkak të zhvillimeve të fundit, tensioneve dhe përshkallëzimeve, ai e ka konsideruar se duhet t’i jepet përparësi marrëveshjes politike, në linjë me aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese”, deklaroi Haxhiu.
Ajo tha se ditët në vijim duhet të shfrytëzohen për të shtuar komunikimin dhe takimet ndërmjet subjekteve politike, duke vlerësuar se refuzimi i dialogut nuk ndihmon në tejkalimin e krizës.
“Unë uroj që gjatë këtyre ditëve të shtohen takimet, jo të refuzohen ato. Refuzimi nuk është zgjidhje dhe refuzimi nuk na çon te situata ku ta kemi një marrëveshje për çështjen e presidentit”, u shpreh Haxhiu.
Sipas ushtrueses së detyrës së Presidentes, partitë opozitare duhet t’u përgjigjen ftesave për takim dhe të angazhohen në dialog për të gjetur një zgjidhje të përbashkët.
“Prandaj, uroj që subjektet opozitare t’u përgjigjen ftesave për takim dhe, në anën tjetër, të heqin dorë nga kërkesat të cilat janë në shpërputhje me vullnetin e qytetarëve”, tha ajo.
Deklaratat e Haxhiut vijnë në një kohë kur vendi vazhdon të përballet me bllokadë institucionale pas moskonstituimit të Kuvendit, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të kërkojë një marrëveshje politike më të gjerë, që përfshin edhe çështjen e zgjedhjes së presidentit.
Nga ana tjetër, partitë opozitare kanë insistuar se fillimisht duhet të përfundojë procesi i konstituimit të Kuvendit, duke argumentuar se kjo është kërkesë e qartë e aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.