Gjykata Speciale ka vendosur që ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, të mbetet në paraburgim edhe për dy muaj të tjerë në rastin që lidhet me akuzat për tentim të pengimit të administrimit të drejtësisë.
Vendimi është marrë nga gjyqtari i vetëm në këtë procedurë, i cili nuk ka pranuar kërkesën e mbrojtjes për lirimin e Thaçit me kusht, pavarësisht ofertës për një dorëzani financiare prej 50 mijë eurosh.
Sipas vendimit, garancia financiare ishte ofruar nga vëllai i Thaçit dhe dy miq të tij. Gjyqtari e ka vlerësuar pozitivisht këtë ofertë, duke theksuar se ajo do të zvogëlonte rrezikun e mundshëm të arratisjes.
“Siguria financiare prej 50,000 eurosh e ofruar nga familja dhe miqtë, subjekt i sekuestrimit në rast të mosrespektimit të kushteve, e zvogëlon rrezikun e arratisjes”, thuhet në arsyetimin e vendimit.
Në vendim theksohet gjithashtu se Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk ka arritur të argumentojë në mënyrë të mjaftueshme se ekziston një rrezik real që Thaçi të arratiset, ndaj ky argument nuk është pranuar si bazë për vazhdimin e paraburgimit.
Megjithatë, gjyqtari ka vlerësuar se ende ekziston rreziku që Hashim Thaçi të ndikojë në proceset gjyqësore që janë në zhvillim para Dhomave të Specializuara ose të kryejë vepra të ngjashme, çka ka bërë që kërkesa për lirim të refuzohet.
Si rezultat, paraburgimi i tij është vazhduar të paktën deri në muajin tetor 2026.
Në këtë çështje, Thaçi mbetet i vetmi i akuzuar që vazhdon të mbahet në Qendrën e Paraburgimit në Scheveningen. Të akuzuarit e tjerë, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu dhe Isni Kilaj, janë liruar më herët me kushte, përfshirë edhe dorëzani financiare, ndërsa Hajredin Kuqi është mbrojtur në liri që nga fillimi i procedurës.
Procesi gjyqësor ndaj të akuzuarve në këtë rast është ende në zhvillim para Dhomave të Specializuara në Hagë.