Gazeta Nacionale ka siguruar letrën që kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ia ka dërguar kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në përgjigje të ftesës për takim lidhur me themelimin e institucioneve.
Në letrën e datës 3 gusht 2026, Gjini rikujton se Aleanca e kishte bërë të qartë qëndrimin e saj edhe në përgjigjen e 9 korrikut, duke theksuar se partia nuk ka interes të bëhet pjesë e Qeverisë së Kosovës “në asnjë format”. Sipas tij, Aleanca ka ofruar mbështetje vetëm për themelimin e institucioneve dhe shmangien e zgjedhjeve të reja, duke pasur parasysh edhe zgjedhjen e presidentit.
Gjini shkruan se AAK-ja i ka paraqitur gjashtë prioritete, të cilat, sipas tij, janë në interes jetik për Kosovën dhe qytetarët, por se nuk ka marrë asnjë përgjigje për to. Këto përfshijnë pranimin e projektit të gazit amerikan, nisjen e procedurave për ndërtimin e një termocentrali të ri me thëngjill, rritjen e pragut të TVSH-së për bizneset e vogla nga 30 mijë në 100 mijë euro, lirimin e tokës së punuar nga tatimi në pronë, financimin e plotë të projekteve infrastrukturore të mbetura pezull dhe ndarjen e 800 milionë deri në 1 miliard euro për investime kapitale në Prishtinë.
Në fund të letrës, kreu i Aleancës shprehet se, përderisa nuk ka përgjigje për këto pika, “Aleanca nuk sheh fare arsye që të takohemi në këtë format”.