Banorët e një fshati të Vushtrrisë dalin kundër ndërtimit të kishës

Banorët e Zagorisë janë mbledhur pas dorëzimit të peticioneve në institucionet përgjegjëse, për të shprehur edhe një herë kundërshtimin e tyre ndaj projektit për ndërtimin e një kishe katolike në këtë zonë.

 

Gjatë takimit, ata theksuan se qëndrimi i tyre nuk është i drejtuar kundër besimtarëve katolikë dhe as nuk cenon lirinë e besimit apo të drejtën për ndërtimin e objekteve fetare. Sipas tyre, objektet e kultit duhet të ndërtohen aty ku ekziston një komunitet besimtarësh dhe një nevojë reale për to.

Banorët thanë se në Zagori nuk ka komunitet katolik, pasi zona është e banuar nga popullsi myslimane, ndaj vlerësojnë se projekti nuk i përgjigjet nevojave të komunitetit lokal. Ata shprehën gjithashtu shqetësimin se ndërtimi i këtij objekti mund të ndikojë në harmoninë e deritanishme dhe të krijojë tensione të panevojshme.

 

Sipas tyre, peticionet e dorëzuara synojnë që institucionet kompetente ta rishqyrtojnë projektin dhe të marrin në konsideratë qëndrimin e banorëve të Zagorisë.