Ka marrë fund në mënyrë tragjike operacioni i policisë për kapjen e 35-vjeçarit Refit (Nertil) Buzi, autorit të dyshuar të vrasjes së ndodhur mëngjesin e sotëm në Roskovec. Pas disa orësh negociatash me forcat speciale RENEA, ai dyshohet se i ka dhënë fund jetës me armë zjarri.
35-vjeçari ishte rrethuar nga forcat e policisë në zonën e ish-fushës së helikopterëve, në fshatin Kurjan, ku qëndronte i mbyllur brenda automjetit të tij. Gjatë gjithë operacionit, negociatorët tentuan disa herë ta bindnin të dorëzohej, por ai refuzoi çdo thirrje të autoriteteve.
Pas orësh të tëra përpjekjesh për ta bindur të vetëdorëzohej, Buzi dyshohet se ka qëlluar veten me armë zjarri brenda automjetit.
Menjëherë në vendngjarje mbërritën autoambulanca dhe forca të shumta policie, ndërsa grupi hetimor ka nisur veprimet procedurale për dokumentimin e plotë të ngjarjes. Autoritetet pritet të dalin me një njoftim zyrtar mbi rrethanat e sakta të incidentit.