Një tjetër histori suksesi vjen nga diaspora shqiptare në Danimarkë. Astrit Rakipi, 26 vjeç, ka përfunduar me sukses studimet në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Kopenhagës, duke u diplomuar me notën më të lartë.
Astriti, me prejardhje nga fshati Nerasht i Tetovës, ka lindur dhe është rritur në Kopenhagë. Pas përfundimit të arsimit fillor dhe të mesëm në Danimarkë, ai vijoi studimet në një nga universitetet më prestigjioze të vendit, ku pas gjashtë vitesh pune intensive fitoi titullin e mjekut.
Arritja e tij u prit me emocion edhe nga familja. Babai i tij, Besnik Rakipi, ndau një mesazh prekës, duke shprehur krenarinë për përkushtimin dhe suksesin e të birit gjatë gjithë viteve të studimit.
Historia e Astrit Rakipit është një tjetër dëshmi e potencialit dhe suksesit të të rinjve shqiptarë në diasporë, të cilët po spikasin në universitetet dhe profesionet më të rëndësishme në Europë.