Sipas të dhënave më të fundit të Zyrës Federale të Statistikave të Gjermanisë (Destatis), në fund të vitit 2025 në Gjermani jetonin 323,260 shtetas të Kosovës.
Nga ta, 273,180 kanë lindur jashtë Gjermanisë, ndërsa 50,080 kanë lindur në Gjermani, por vazhdojnë ta mbajnë shtetësinë e Kosovës.
Nëse përfshihen edhe personat me prejardhje nga Kosova që ndërkohë kanë marrë shtetësinë gjermane, si dhe brezat e lindur në Gjermani, numri i përgjithshëm i komunitetit me origjinë nga Kosova arrin në rreth 615 mijë banorë.
Shumica e kosovarëve kanë emigruar në Gjermani gjatë viteve 1990, si pasojë e represionit në Kosovë dhe luftës së viteve 1998–1999. Në dy dekadat e fundit emigrimi ka vazhduar kryesisht për arsye ekonomike, për shkak të mundësive më të mira të punësimit, arsimit dhe standardit më të lartë të jetesës.
Sot, komuniteti kosovar është ndër komunitetet shqiptare më të konsoliduara në Gjermani. Kosovarët punojnë në sektorë të ndryshëm, si industria prodhuese, ndërtimtaria, transporti, gastronomia, shëndetësia, teknologjia e informacionit dhe shërbimet. Një numër i madh kanë krijuar biznese të suksesshme, duke u bërë pjesë aktive e ekonomisë gjermane.
Integrimi i tyre konsiderohet përgjithësisht i suksesshëm. Brezi i ri, i lindur ose i rritur në Gjermani, është i përfshirë në sistemin arsimor, në tregun e punës dhe në jetën publike, ndërsa shumë profesionistë me origjinë nga Kosova sot ushtrojnë profesione si mjekë, inxhinierë, juristë, profesorë, sipërmarrës dhe zyrtarë në institucione publike.
Pavarësisht integrimit, lidhjet me Kosovën mbeten të forta. Diaspora vazhdon të luajë një rol të rëndësishëm për ekonominë e vendit përmes remitancave, investimeve dhe lidhjeve të vazhdueshme familjare e kulturore.