Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Gjilan, ku një burrë 38-vjeçar është gjetur pa shenja jete në banesën e tij gjatë pasdites së së enjtes.
Rastin e ka konfirmuar për IndeksOnline zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjilanit, Valon Osmani, i cili bëri të ditur se autoritetet kanë pranuar informacionin rreth orës 18:26.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet relevante të Policisë së Kosovës, Prokurori i Shtetit dhe ekipi i emergjencës. Pas ekzaminimit fillestar, mjeku kujdestar ka konstatuar se 38-vjeçari ishte pa shenja jete.
Sipas Policisë, hetimet paraprake nuk kanë nxjerrë indicie që rasti të lidhet me ndonjë vepër penale të vrasjes.
“Me datën 23.07.2026 rreth orës 18:26, kemi pranuar informacion se në banesën e tij në qytetin e Gjilanit është gjetur pa shenja jete një person mashkull, shtetas i Republikës së Kosovës i lindur më 1988. Njësitet relevante policore së bashku me Prokurorin e Shtetit dhe ekipin emergjent kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku nga mjeku kujdestar është konstatuar se personi është pa shenja jete. Bazuar në hetimet e deritanishme nuk ka dyshime për elemente të veprës penale të vrasjes”, ka deklaruar zëdhënësi i Policisë, Valon Osmani.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) në Prishtinë, ku do t’i nënshtrohet obduksionit për të përcaktuar shkakun e saktë të vdekjes.
Ndërkohë, hetuesit e Njësisë së Hetimeve Rajonale në Gjilan, në koordinim me Prokurorinë e Shtetit, po vazhdojnë hetimet për të ndriçuar plotësisht rrethanat e këtij rasti.
Autoritetet nuk kanë bërë të ditur identitetin e viktimës, ndërsa pritet që pas rezultateve të obduksionit dhe përfundimit të veprimeve hetimore të publikohen informacione shtesë mbi shkakun e vdekjes.