Një ngjarje tragjike ka tronditur pasditen e sotme komunën e Malishevës, ku 19-vjeçari Ermal Shala ka humbur jetën si pasojë e një vetaksidenti me motoçikletë.
Lajmi për vdekjen e të riut është konfirmuar nga familjarët dhe të afërmit e tij përmes rrjeteve sociale, të cilët kanë shprehur dhimbjen për humbjen e parakohshme të Ermalit. Ndërkohë, detajet për ceremoninë mortore pritet të bëhen të ditura në orët në vijim.
Sipas Policisë së Kosovës, aksidenti ka ndodhur rreth orës 15:40 në rrugën magjistrale Prishtinë–Pejë, në fshatin Llazicë të Malishevës.
Zëdhënësja e Policisë së Kosovës, Vlera Krasniqi, ka bërë të ditur se, bazuar në informacionet fillestare, i riu dyshohet se është vetaksidentuar me motoçikletë.
“Sot, rreth orës 15:40, në rrugën magjistrale Prishtinë-Pejë, përkatësisht në fshatin Llazicë të Malishevës, dyshohet se një person është vetëaksidentuar me motoçikletë. Menjëherë pas pranimit të informacionit, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë përkatëse policore, si dhe ekipi mjekësor, ku mjeku ka konstatuar në vendin e ngjarjes se drejtuesi i motoçikletës (mashkull, 19-vjeçar) ishte pa shenja jete. Policia është duke i ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit”, ka deklaruar Krasniqi.
Pavarësisht ndërhyrjes së shpejtë të ekipeve të emergjencës, mjeku konstatoi se 19-vjeçari kishte ndërruar jetë në vendin e ngjarjes si pasojë e plagëve të marra në aksident.
Njësitë e Policisë së Kosovës kanë kryer ekzaminimet në vendin e ngjarjes dhe kanë nisur hetimet për të përcaktuar rrethanat e plota që çuan deri te aksidenti fatal.
Vdekja e Ermal Shalës ka prekur familjarët, miqtë dhe banorët e zonës, të cilët kanë shprehur ngushëllimet e tyre për humbjen e të riut.
Autoritetet kanë bërë të ditur se hetimet do të vazhdojnë deri në zbardhjen e plotë të shkakut të këtij vetaksidenti tragjik.